QKUK-ja nuk e do mjekun e dënuar
Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk e do në mesin e saj neurokirurgun, Shaban Hasi. Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për pranimin e tre specialistëve të rinj për Klinikën e Neurokirurgjisë, ku në mesin e tre mjekëve është përzgjedhur edhe Dr. Shaban Hasi.

Kryesues të Klinikës së Neurokirurgjisë në QKUK, thonë se, Hasi ka të kaluar kriminale, andej nuk u duhet një mjek i tillë, kurse në Ministrinë e Shëndetësisë, pranojnë se kanë marrë një ankesë nga ky repart, për emrin e Shaban Hasit.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu tha se, këtë konkurs e ka shpallur Ministria e Shëndetësisë, dhe se QKUK-ja nuk ka të bëjë asgjë më të.

Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkursin dhe ka bërë përzgjedhjen. Nga QKUK-ja është ankuar reparti i Neurokirurgjisë”, tha shkurt, Fazliu.

Nga ana tjetër, Arsim Morina, ushtrues detyre i drejtorit në Klinikën e Neurokirurgjisë, pranon se, ka paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me kundërshtimin në punësimin e Dr. Shaban Hasi në vendin e punës Neurokirurg në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK.

Drejtori, Morina tha për Indeksonline se, QKUK-së nuk i duhet një njëri që ka të kaluar kriminale, dhe një neurokirurg që është paraqitur 100 për qind i pa aftë, e që është afër pensionit.

“Dr, Shaban Hasi ka qenë i dënuar me 21 muaj burg nga shteti zviceran si keqpërdorues dhe mashtrues disa vjeçar i fondeve pensionale si invalid 100 për qind. Andaj, çfarëdo insistimi në punësimin e tij në qendrën tonë do të paraqet shkelje të normave njerëzore, morale dhe profesionale dhe ligjore”, thotë Morina.

Madje, sipas tij, Ministria e Shëndetësisë, jo që nuk duhet ta pranojë Hasin mjek, por duhet të iniciojë hetim ndajë tij, për keqpërdorim të fondeve të kësaj ministrie.
“Përveç keqpërdorimeve të fondeve zvicerane, i njëjti ka keqpërdorur edhe mjetet financiare vendore. Ai disa herë nga Ministria e Shëndetësisë ka marrë para për shërimin e tij jashtë vendit, në kohën sa keqpërdorte fondet e Zvicrës. Për këto gjerësisht është informuar opinioni zviceran dhe vendor duke prishur imazhin e vendit tonë, dhe duke rrezikuar pensionet e punëtorëve tonë atje. Edhe më parë kur Dr. Hasi ka punuar në qendrën tonë spitalore ka manipuluar me personelin mjekësor duke prishur marrëdhëniet ndërkolegiale si dhe për shkak të manipulimit me pacientë ka qenë i akuzuar dhe në gjykatë”, thotë neurokirurgu Morina.

Drejtori i Repartit të Neurokirurgjisë, nuk është pajtuar as me mënyrën e konkursit që e ka drejtuar Ministria e Shëndetësisë.

“Unë nuk janë ftuar në konkurs, gjë që është dashur të ndodhë. Ankesë kam paraqitur edhe kur është hapur konkursi”, thotë Morina.

Zëdhënësi në Ministrinë e shëndetësisë, Faik Hoti, tha për Indeksonline se, Hasi i ka plotësuar kushtet e konkursit, dhe se problemet me drejtësinë, ai i ka zgjidhur. Hoti tha se deri më tash, në ministri ka shkuar vetëm një ankesë për emrin e Shaban Hasit, shkruan Indeksonline.

“Po, Hasi është përzgjedhur në listën e ngushtë. Jemi në fazën e ankesave, nëse ndokush ka ankesë për cilin do, le bëjë ankesa. Pas afatit të ankesave, Komisi do të shoh që me kënd do të lidh kontratë. Hasi te ne ka konkurruar si mjek specialist, jo si profesor. Ai i ka zgjidhur problemet me drejtësinë, dhe tek ne i ka plotësuar kushtet të cilët ne kemi kërkuar. Deri më tash është ankuar veç reparti i Neurokirurgjisë”, tha Hoti.
Dy specialistët tjerë të pranuar si neurokirurg janë, Dr. Shefki Dragusha dhe Dr. Feti Ahmeti

Ndryshe, mjeku, Shaban Hasi është dënuar me 21 muaj burg nga një gjykatë në Zvicër. Ai është gjetur fajtor për mashtrim disavjeçar që i ka bërë shtetit zviceran, derisa kishte punuar në një spital në Zurich. Që nga viti 1995 ishte paraqitur si i sëmurë rëndë në Zvicër. Në periudhën prej qershorit të vitit 2000 e deri në shtator të vitit 2008, ka marrë pension në një shumë prej 550.000 frangave zvicerane. Pas çdo revizioni invalidor, ai ka deklaruar se ende është invalid, ndërsa pas një operacioni në zemër, ai është ankuar se nuk mund të rifillojë profesionin e vet. Hasin për shërim e ka ndihmuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Dr. Shaban Hasi posedon nënshtetësinë zvicerane që nga viti 1997 dhe para tri viteve pas një operacioni në tru u vendos në listën e invalidëve 100 %. Në vitin 2008, Dr.Shaban Hasi u arrestua në Zvicër menjëherë sapo zbriti nga aeroplani i cili vinte nga Kosova.

Pas kthimit të tij, Hasi është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për kthim në UP dhe punësim. Nga Gjykata Kushtetuese është marrë vendim për refuzim të kërkesës së tij, duke cilësuar kërkesën e tij si të papranueshme. Por, kjo nuk e ka penguar Rektoratin e UP-së që ta pranojë si profesorë. Hasi aktualisht është profesor i asocuar në Katedrën e Kirurgjisë, në Fakultetin e Mjekësisë./albeu.com/
Shtuar më 05/04/2013, ora 15:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori