Qeveria reagon zyrtarisht: S'ka zgjedhje të parakohshme në Kosovë
Qeveria e Kosovës ka reaguar me anë të një deklaratë pas takimit të Haradinajt dhe veselit pas spekullimeve se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Mësohet se Qeveria do të vazhdojë punën ndërsa nuk bëhet e qartë për fatin e taksës ndaj Serbisë. E megjithatë përmendet se intensifikohen hapat për bashkëpunimin me SHBA dhe BE-në.

Deklarata:

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura.

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në.

Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.
Shtuar më 30/01/2019, ora 19:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori