Qeveria kërkon reagimin e BE-së, për zgjedhjet e serbëve
Hashim Thaci
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një deklarate ka reaguar kundër vendimit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i papranueshëm”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.

“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme. “Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane”.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që tentimin i mbajtjes së zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik. Qeveria e Kosovës po ashtu i fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Shtuar më 13/03/2012, ora 18:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori