Qeveria i merr seriozisht rekomandimet e secilit deputet
Qeveria e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të mërkurën se Qeveria e Kosovës i merr me seriozitet rekomandimet e secilit deputet të dhëna një ditë më parë gjatë debatit për Raportin e Progresit, në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë mbledhjes së qeverisë ai ka premtuar se ekzekutivi që drejton ai, do të bazohet në rekomandimet e ligjvënësve kosovarë, në mënyrë që t’i avancojë reformat demokratike, qoftë në ekonomi, në politikë apo në legjislacion.

“Falënderojë të gjithë deputetët e të gjithë spektrit politik në Kuvendin e Kosovës për debatin korrekt, konstruktiv, të përgjithshëm për Raportin e Progresit që është zhvilluar dje”, tha Thaçi.

Ai ka bërë thirrje që punë të përbashkët në mes të gjithë anëtarëve të të gjitha partive politike për reforma zgjedhore, për rend dhe ligj në veri, për sundimin e demokracisë, për zgjedhje të lira, si dhe investime ekonomike.

Kryeministri Thaçi po ashtu njoftoi Kabinetin Qeveritar se të shtunën do të inaugurohet autostrada 38 kilometërshe Vërmicë-Merdarë. Thaçi tha se autostrada, përveç që është shumë moderne, është edhe e standardit të lartë perëndimor.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së qeverisë ka mohuar se ekzekutivi kosovar ka një “plan B” për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Ne nuk kemi plan tjetër për atje, është Kushtetuta e Kosovës, është Pako e Ahtisaarit. Atje ka nevojë vetëm të krijohen kushte për implementim të tyre. Qytetari serb atje ende se ka përjetuar mundësitë që ofron Kushtetuta e ligjet e Kosovës dhe Pako e Ahtisaarit”, është shprehur ai.

Kuçi ka theksuar se KFOR-i dhe EULEX-i janë institucionet të cilat e kanë primatin për vendosjen e rendit dhe ligjit, ndërsa institucionet e Kosovës për legjitimitet demokratik. “Sa më aktiv që është KFOR dhe EULEX-i, më pak aktivë jemi ne. E kundërta mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Kuçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë më të durueshëm ndaj veprimeve të KFOR-it në veri, përderisa ka shtuar se për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit dhe për heqjen e barrikadave ka garanci të plotë të institucioneve vendore, por edhe garanci nga obligimet ndërkombëtare. Sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, nuk do të ketë kurrëfar kompromis me strukturat ilegale serbe.

Ndryshe, kabineti qeveritar në mbledhjen e fundit ka shqyrtuar dhe më pas miratuar disa projektligje dhe disa propozimvendime.

Projektligji për Arkivat, projektligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe ai për Parkun Kombëtar “Sharri” janë miratuar nga Kabineti Qeveritar. Ata gjithashtu kanë miratuar propozimvendimin për emërimin e Bordit të Ankesave, propozimvendimin për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian, propozimvendimin për autorizimin e ministrit të Financave, Bedri Hamza, për nënshkrimin e marrëveshjeve për borxhe, propozimvendimin për ndarjen e dyqind mijë eurove Komunës së Deçanit për ndërtimin e rrugës në Maznik, propozimvendimin për themelimin e Grupit Punues për reformimin e Komisionit Qeveritar të Gjuhëve dhe krijimin e politikave të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Kosovës, si dhe propozim-vendimin për ndarjen e 126 mijë eurove për Ministrinë e Diasporës, përkatësisht për aktivitetin e kësaj ministrie “Ditët e Kulturës Kosovare”, që do të mbahet në Belgjikë dhe Zvicër.
Shtuar më 10/11/2011, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori