Qeveria e quan protestën në kundërshtim me vendimet
Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson edhe një herë faktin se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë nuk do të vihet asnjë herë në pikëpyetje, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të keqpërdorët nga askush dhe për asnjë qëllim. Kështu thuhet në një deklaratë për media e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndjekur nga afër zhvillimet e sotme (e diel) që ndërlidhen me protestën politike të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Kjo protestë që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen.

Më tej theksohet se Qeveria i jep mbështetje të plotë Policisë së Kosovës në zbatimin e plotë të kompetencave ligjore për “moslejimin e bllokimit të rrugëve, pengimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, apo marrjen nën kontroll të pikave kufitare shtetërore”. Po ashtu, Qeveria shpreh konsideratën e saj të lartë për qytetarët e Kosovës, “të cilët janë distancuar nga veprimet e tilla të panevojshme politike të nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat në mënyrë serioze e dëmtojnë imazhin e shtetit tonë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës siguron të gjithë qytetarët e saj se është shumë e përgjegjshme në respektimin e vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat janë në përputhje me aspiratat tona për integrime euro-atlantike. Prandaj, protestat politike të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të mund të lëkundin themelet e shtetit tonë demokratik, i cili është i përcaktuar për fqinjësi të mirë, për ekonomi të tregut të lirë dhe për integrime euro-atlantike”, përfundon deklarata.
Shtuar më 22/01/2012, ora 19:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori