Armët bërthamore në Bjellorusi, Borell: Kërcënim për sigurinë europiane

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka reaguar pas lajmit se Kremlini doi të dislokojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Nëpërmjet një postimi në Twitter Borrell thotë se zhvillimi i armëve bërthamore ruse në Bjellorusi do të nënkuptonte një përshkallëzim të papërgjegjshëm dhe një kërcënim për sigurinë evropiane.

Ai shtoi se Bjellorusia ka ende kohë për ta ndaluar këtë veprim pasi sipas tij është zgjedhja e tyre, ndërsa shton se BE-ja është e gatshme të përgjigjet me sanksione.

Më herët, NATO e përshkroi qëndrimin e Rusisë si të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm,pasi Vladimir Putin njoftoi vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Më 25 mars presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se ka arritur marrëveshje për të vendosur armë bërthamore taktike në territorin e aleates së ngushtë, Bjellorusisë, e cila kufizohet edhe me Rusinë, edhe me Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se me këtë marrëveshje, Bjellorusia është bërë “peng bërthamor” i Moskës.

Përmes një interviste për televizionin shtetëror “Rossiya-1”, Putini tha se Moska tashmë ka transferuar në Bjellorusi një sistem raketash me rreze të shkurtër Iskander – i cili mund të pajiset me koka bërthamore ose konvencionale – dhe pritet të përfundojnë ndërtimin e një objekti të posaçëm magazinimi për armët taktike bërthamore në fillim të korrikut.

Sipas shefit të Kremlinit, kjo lëvizje është e ngjashme me praktikën e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e armëve bërthamore në Evropë. Uashingtoni ruan kontrollin mbi armët, duke i mbajtur vendet pritëse – si Gjermania – të mos thyejnë angazhimet e tyre si fuqi jo-bërthamore. Të njëjtën gjë pritet të kryej edhe Moska me Minskun.

/albeu.com/ 


Shtuar 26.03.2023 18:52