Putin: Rusia mbron integritetin territorial të Serbisë, veçanërisht në Kosovë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka premtuar se do të vazhdojë ta përkrahë integritetin territorial të Serbisë, përfshirë edhe pretendimet e saj ndaj, siç e ka quajtur, rajonin e kontestuar të Kosovës.

"Putin e ka thënë qartë se Rusia mbron integritetin territorial dhe pavarësinë e Serbisë, veçanërisht në Kosovë", ka thënë presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, pas takimit të djeshëm në Moskë me kreun e Kremlinit.

Serbia, e cila ka marrëdhënie të gjata e të afërta me Rusinë, mbështetet te përkrahja e Moskës në luftën e saj diplomatike që ta parandalojë Kosovën që të bëhet pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Putini dhe Nikolic gjithashtu diskutuan marrëveshjen e fundit të Serbisë për ta lejuar personelin e NATO-s që të qëndrojë në këtë vend.

Nikolic tha se, kjo marrëveshje është kryesisht për t’iu mundësuar trupave që t’i shkatërrojnë rezervat e armëve. Ai tha se Rusia nuk është e alarmuar nga kjo marrëveshje dhe se ‘Putini ka thënë se e kupton se çfarë kemi nënshkruar”.

Vizita e Tomislav Nikolic vjen në kohën kur kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç po kërkon reforma, të cilat do ta çonin vendin drejt rrugës për t’iu bashkuar BE-së.

Nikolic është lider që haptas anon nga Rusia dhe shpesh flet kundër lidhjeve të ngushta me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. (Rel) /albeu.com/
Shtuar më 11/03/2016, ora 10:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori