PSD: Koalicioni ynë i fortë, AAK-ja nuk i bashkohet PDK-së
Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur të bëhet i pamundur pas kushtit të LDK-së që këto dy parti të garojnë me Vjosa Osmanin si kandidate e përbashkët për kryeministre.

Dështimi i koalicioni LDK-LVV, sipas analistëve, mund të sjellë një PAN të dytë në skenën politike të Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e kaluara, ndonëse e kishte mohuar bashkëpunimin me PDK-në, në momentet e fundit i ishte bashkuar asaj, duke e formuar koalicionin e madh PAN, i cili udhëhoqi me qeverinë për dy vjet.

Por ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Salih Salihu, partia e të cilit ka lidhur tashmë koalicion parazgjedhor me AAK-në, nuk beson që AAK-ja mund t’i braktisë dhe të mundë të përsëritet edhe një PAN tjetër, siç kishte ndodhur në vitin 2017.

“Mendoj që nuk përsëritet ndonjë PAN tjetër, sepse nuk është treguar i dobishëm, pra të përsëritet diçka që ka dështuar para një muaji nuk ka kuptim. Unë mendoj se do të ndryshojë situata dhe besoj që PDK-ja do të shkojë në opozitë, sepse edhe vetë është e gatshme për opozitë”, ka thënë Salihu për “Zërin”.

Më tutje ai theksoi se janë në bisedime me koalicionin Nisma - AKR, por që deri tani vullneti i këtyre dy partive është shkuarja në zgjedhje si të vetme.

“Ka diskutime thjesht individuale, sidomos me Nismën dhe me AKR-në, por që është çështje e cila nuk mund të themi se bëhet ose nuk bëhet. Nuk është që nuk kanë disponim, por si duket Nisma dhe AKR-ja njëherë përnjëherë janë që të shkojnë vetë në zgjedhje. Por kjo nuk dihet deri në momentin e fundit, sepse shumë do të ndryshojë situata nëse eventualisht ndonjë koalicion tjetër lidhet në momentet e fundit”, ka shtuar ai.
Shtuar më 30/08/2019, ora 10:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori