Provimi i maturës në fazën finale
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë për Radio Kosovën, se nëse nuk miratohet ligji i ri deri në fund të muajit maj, atëherë edhe këtë vit maturantët do të kenë pragun e kalueshmërisë me 50 për qind. Ndërsa me ligjin e ri, nuk parashihet pragu por vetëm rezultati i arritshmërisë.

Sivjet pritet që 32 mijë maturantë t'i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës. Me ligjin e ri është parashikuar që me ligjin e ri, të kalojnë testin të gjithë maturantët dhe të poentohen vetëm nga pikët e rezultateve që arrijnë.

Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se pritet që ky ligj të miratohet deri në fund të muajit maj, por nëse nuk miratohet, ai bëri të ditur se ky provim do të organizohet sipas ligjit në fuqi.

Ndërkohë, sa i përket përgatitjeve të testeve, Guri tha se nuk do të ketë ndryshime. Ai bëri të ditur se Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, ka marrë vendim që provimi shtetëror të mbahet nëpër klasë e jo në salla të hapura, ku numri maksimal i nxënësve në klasë do të jetë deri në 15. Gjithashtu, lidhur me administrimin e provimit, Guri bëri të ditur se është përgatitur një plan të veprimit.

Provimi shtetëror i maturës për këtë vit shkollor do të mbahet afati i parë më 6 dhe 20 qershor, ndërsa afati i dytë më 29 gusht dhe 5 shtator. /albeu.com/
Shtuar më 28/04/2015, ora 09:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori