Protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë, 3 të arrestuar
Qindra qytetarë janë mbledhur ditën e sotme para ndërtesës së kompanisë së Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, në Prishtinë, për të protestuar për energjinë elektike. Protestuesit kanë kërkuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, kthim të tarifës së lirë në orarin ditor që praktikisht nuk ekziston, si dhe
transparencë publike mbi pronarin e ri të Distribucionit.

Gjatë kësaj proteste të organizuar nga Klubi Politik i Studentëve dhe të përkrahur nga një numër i organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë, është bërë thirrje që mos të paguhen faturat e shpenzuara të energjisë.
Sipas protestuesve "KEDS-i po i mashtron qytetarët e Kosovës", duke u shprehur se çmimi i energjisë është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2013.

Ndërkaq, policia ka monitoruar situatën gjatë protestës, ndërsa raportohet se janë arrestuar tre protestues.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nxorri vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind. Por një vendim i ngjashëm u mor edhe në qershor, ku u aprovua rritje e tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Ndërkaq, sa i përket kërkesave të protestueseve KEDS ka sqaruar për mes një komunikate për media. Në komunikatë thuhet se kjo kompani nuk përcakton çmimin e energjisë elektrike dhe nuk është në kompetencë të kësaj kompanie të përcaktojë tarifat dhe strukturën tarifore. /albeu.com/
Shtuar më 12/01/2015, ora 17:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori