Pronarët e qendrës së masazhit: Harram ju qoftë nëse keni shitur trupin
Policia i vuri dryrin sallonit të masazhit “Melek (engjëll)” në fshatin Vitomiricë të Pejës javën që shkoi. Lokali në pronësi të një pjesëtari të komunitetit boshnjak, i marrë me qira nga një shqiptar, punoi për rreth një muaj, ku përveç masazhit ofroheshin edhe shërbime seksuale.

Motra e pronarit të lokalit, Ismeta Rujoviç thotë se aty punonin 3-12 punëtore dhe se qiraxhiu kishte marrë lokalin për masazh duke mos treguar se brenda tij do të zhvillohej edhe veprimtari e kundërligjshme.

“Nëse ata kanë bo diçka keq haram ju koftë, na nuk dimë kurgjë hiç çka kanë bërë ata”, thotë Rujoviç.

Të premtën Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore mbylli sallonin “Melek” nën dyshimin se brenda tij ushtrohej prostitucion. Për këtë u arrestuan katër persona, dy meshkuj dhe dy femra.

“ Të arrestuarit janë A.G., viti i lindjes 1991, mashkull, kosovar, shqiptar; A.G., viti i lindjes 1984, mashkull, kosovar, shqiptar; V.T., viti i lindjes 1992,l femër, kosovare, shqiptare dhe F.D., viti i lindjes 2001, femër, kosovare, shqiptare”, njofton policia, transmeton Gazeta Express.

Rujoviç thotë se vëllau i saj që jeton jashtë Kosovës e ka lëshuar lokalin me qira por nuk e din se çka ka ndodhur brenda.

“Veç e kem lëshu lokalin me qira, na se kem ditë veç kanë thënë për masazha edhe na nuk e dim çka ka ndodhë, policia e ka mbyllë”, rrëfen ajo tutje.

Ajo thotë se fqinjët i njohin se janë familje e mirë përderisa veprimtaria brenda lokalit ushtrohej nga A.G- kosovar.

Ismeta Rujoviç tha se lokali ka punuar për rreth një muaj. Ky lokal i ndarë në tri lokale për brenda ishte lëshuar me qira nga vëllai i saj për 300 euro në muaj. Përderisa thotë se nuk ka pasur shumë vizitorë.

Policia ka njoftuar se dy meshkujt e arrestuar janë dërguar në mbajtje. Po ashtu gjatë të premtës policia ka mbyllur edhe disa lokale të ngjashme nëpër vende të ndryshme të Kosovës.


Shtuar më 07/03/2018, ora 12:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori