Prokuroria kërkon burg për shoferin që shkaktoi aksidentin në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se sot, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit M.A., nga Peja, për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Rrezikim i trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjilan, dje, më 7 mars 2019, rreth orës 14:05 minuta, i dyshuari M.A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, në të cilin një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Dyshohet që i dyshuari M.A., për shkak të problemeve teknike të kamionit – mosfunksionimi i sistemit të frenimit, gjatë drejtimit të kamionit, pronë e SH.P.K. ‘’VEV GROUP’’ – Prishtinë, e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, ashtu që duke lëvizur në drejtim të qendrës së qytetit, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe fillimisht tek hyrja e stacionit e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj tek dalja e stacionit e godet mbrapa automjetin tjetër, i cili ishte duke lëvizur para tij, të cilin e shtyen deri tek vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës ‘’Çoçaj’’, ku aty i godet dy të dëmtuar, të cilët ishin duke ecur në trotuar, me ç’rast në mesin e tyre ishte edhe tani i ndjeri Q.Ç., i cili për shkak të lëndimeve të pësuara, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë.

Pastaj, ka vazhduar në të njëjtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera dhe në fund godet një traktor i cili ishte kyçur në rreth rrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘’Kristal’’.

Si pasojë e kësaj, përpos lëndimeve të natyrës vdekjeprurëse, lëndime të lehta kanë pësuar 23 persona, kurse lëndime të rënda trupore kanë pësuar 3 persona, të cilët edhe janë transferuar në QKUK, në Prishtinë.
Shtuar më 08/03/2019, ora 17:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori