Prokuroria: Enver Hasani s'kishte imunitet, kreu veprime jashtë funksionit
Prokuroria Speciale ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë pasi kjo e fundit ka refuzuar kërkesën e kësaj prokurorie për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë, në rastin e të pandehurit Enver Hasani.

"Ankesa është ushtruar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë mundur të ndikojnë në nxjerrjen e ligjshme të vendimit gjyqësor"”, deklaron zyra për media e Prokurorisë Speciale, raporton lajmi.net.

"Po ashtu për shkak të shkeljes së Kodit Penal të Republikës së Kosovës përkitazi me interpretimin e Gjykatës, lidhur me imunitetin funksional të të pandehurit, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike", saktëson Prokuroria.

Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Enver Hasani nuk ka vepruar brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional, por ka ndërmarrë veprime, me të cilat ka dalë jashtë funksionit të vet, duke e keqpërdorur detyrën dhe autorizimet, të cilat i janë besuar me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

"Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dërguar prokurorisë aktvendimin mbi refuzimin e kërkesës për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë më datën 1 shkurt 2016, edhe pse ky vendim është nxjerr qysh me datën 17 dhjetor 2015, respektivisht pasi prokuroria më datën 22 dhjetor 2015 e ka intervistuar drejtpërdrejt dëshmitarin Robert Carolan dhe pasi që më datën 13 janar 2016 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Enver Hasani për vepër penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par. 1 të KPRK-së dhe veprën penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par. 1 të KPRK-së".

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kërkesa për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë nuk është më objekt i shqyrtimit, ngase prokuroria ka siguruar dëshminë e dëshmitarit Robert Carolan me intervistimin e tij të drejtpërdrejtë dhe pas sigurimit të provave të tjera relevante ka ngritur aktakuzë.

Prandaj, Prokuroria Speciale i propozon Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /albeu.com/
Shtuar më 04/02/2016, ora 16:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori