Prokuroria dhe policia të gatshëm për ruajtjen e votës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e shtetit kanë mbajtur një konferencë për media, ndërsa theksuan se janë bërë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale më 22 tetor.

Në këtë konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se KQZ-ja ka arritur t’i përmbush objektivat e veta për organizimin e zgjedhjeve të 22 tetorit.

“KQZ edhe në këto zgjedhje është përkujdesur që personat që kanë kryer vepra penale të mos përfshihen në mbikëqyrjen e zgjedhjeve. KQZ ka emëruar edhe 18 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve”, tha Daka.

Ai kërkoi nga subjektet politike dhe kandidatët për kryetar e asamblist që të kontribuojnë mbarëvajtjes së qetë të procesit zgjedhor.

Ndërkaq, zëvendësprokurorja e shtetit, Sevdije Morina, tha se Prokuroria e Shtetit në bazë të memorandumit me KQZ dhe institucionet e tjera për zgjedhjet lokale ka ndërmarrë disa veprime.

“Ka caktuar një koordinator në nivel të shteti dhe një zëvendës-koordinator. Një prokuror për ditën e zgjedhjeve. Ka caktuar 7 koordinatorë për rajonet e Kosovës. Prokurori i Shtetit ka caktuar 86 prokurorë për ditën e zgjedhjeve, të cilët kanë filluar punën që nga dita e parë e fushatës. Deri tani këta prokurorë kanë marrë informata se janë kryer 4 vepra penale që janë kryer gjatë fushatës”, tha Morina.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se Policia deri në këto momente i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për kompletimin e të gjitha detyrave që i kanë marrë me nënshkrimin e memorandumit.

Ai bëri të ditur se 17 incidente kanë ndodhur gjatë fushatës zgjedhore.

“Të gjitha tubimet janë monitoruar dhe në disa raste policia është dashur të ndërhyjë. Në vlerësim të gjendjes së rrezikshmërisë dhe kanosjes edhe në aspektin gjithëpërfshirës nuk ka shkallë të lartë të rrezikut askund dhe kjo është sinjal se megjithatë sipas përgatitjeve tonë ne do të mbulojmë të gjitha qendrat. Po ashtu do të jemi në sigurim të personelit”, tha Rexha.
Shtuar më 19/10/2017, ora 12:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori