Prokurori Wendorf pritet të largohet nga Kosova
Prokurori finlandez, Heikki Wendorf, pritet të largohet nga misioni i EULEX-it javët në vazhdim. Sipas një letre sekrete që i ka ardhur presidentes, Atifete Jahjaga pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese nuk gjeti shkelje në zgjedhjen e Aleksandër Lumezit kryeprokuror, ka ngritur dyshimet se prokurori Wendorf është bërë pjesë e grupeve që kanë dashur ta pengonin emërimin e tij në krye të organit të akuzës.

Disa diplomatë evropianë i kanë thënë të enjten "Kohës Ditore" se janë të shokuar me veprimin e prokurorit, të cilin e kanë quajtur skandal. Ata kanë thënë në kushte anonimiteti se letra ka pasur qëllim parandalimin e dekretimit të Lumezit për kryeprokuror.

"Ne nuk shohim më mundësi që ky prokuror të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë", ka thënë njëri prej diplomatëve të akredituar në Prishtinë, në kushte anonimiteti. Ai ka kërkuar nga shefi i EULEX-it, Gabriele Meuçi, që ta adresojë në mënyrë të duhur këtë çështje. /albeu.com/
Shtuar më 24/04/2015, ora 08:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori