Prokurorët arrijnë në konkluzione tronditëse nga vrasja me telekomandë e Haxhi Ahmetit
Pëlqej
61-vjeçari Haxhi Ahmeti u vra të dielën në mënyrë të sofistikuar në shtëpinë e tij në Smolicë të Gjakovës.

Eksplozivi që iu vendos te kasaforta e postës te dyert e oborrit dyshohet të jetë komanduar nga një distancë e madhe.

Hetuesia e Gjakovës asnjëherë nuk është përballur me një rast të tillë, madje një vrasje e këtij lloji vështirë se ka ndodhur edhe në shkallë vendi.

Prokuroria po dyshon që vrasja mund të ketë qenë e paguar.

Ka pak kohë që kishte ardhur nga Gjermania për t’i kaluar disa ditë pushimi në Kosovë, por, ky doli të jetë i fundit për të. 61-vjecari, Haxhi Ahmeti, u vra nga distanca nga persona ende të paidentifikuar që kishin vendosur masë eksplozivi në derën e oborrit. E gjithë ngjarja ndodhi në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës, raporton Express.

Shtëpia e të ndjerit në fshatin Smolicë të Gjakovës
Eksplozivi i montuar në dyert e oborrit ishte i destinuar për vrasjen e Haxhi Ahmetit pasi përmes dyerve të shtëpisë së Haxhiut, të dielën, kishin kaluar edhe persona të tjerë. Por, kjo lëndë vrasëse u aktivizua në momentin, vetëm kur 61-vjeçari e hapi derën e oborrit.

Ngjarja nisi kur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në shtëpinë e Haxhi Ahmetit, shkoi dhëndri i tij për ta marrë për të dalë në qytet. Dhëndri së bashku me Haxhiun u nisën drejt dyerve të oborrit. I pari doli mysafiri. E kur Haxhiu u afrua tek dyert e oborrit dhe tentoi që t’i mbyllë ato, u aktivizua me teledirigjim eksplozivi i cili kishte qenë i montuar mbi kasafortën e postës që gjendej ngjitur në portat e shtëpisë dhe ia mori jetën 61-vjeçarit.

Ky lloj i vrasjes, sipas Prokurorisë së Shtetit po del të jetë rasti i parë i këtij lloji që ka ndodhur në Kosovë.

Për këtë çështje, të hënën për Gazetën Express ka dhënë detaje kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj. Ai ka deklaruar se për këtë rast ende nuk ka asnjë të dyshuar dhe se hetimet mund të marrin kohë për shkak të ndjeshmërisë.

“Rreth kësaj çështjeje jemi duke i vazhduar hetimet. Ende nuk kemi ndonjë të dyshuar e as të arrestuar. Do ta kemi më të vështirë hetimin rreth kësaj vrasjeje pasi që e njëjta është kryer me një lloj eksplozivi i cili është bërë me anë të teledirigjimit. Këso lloj vrasje nuk ka ndodhur asnjëherë në Gjakovë e as në Kosovë me sa e di unë, për herë të parë po përdoret kjo”, ka deklaruar Selimaj.


Viktima
Sipas tij, në rastet e tilla, eksplozivi mund të teledirigjohet prej 1 mijë metrave largësi.
Por, prokuroria Themelore në Gjakovë nuk po e përjashton mundësinë edhe se kjo mund të ketë qenë vrasje e porositur.

“Ka qenë një mjet shumë i sofistikuar pasi që shpërthimi i saj mund të bëhet prej 1 mijë metra largësi. Është duke u punuar për hetimet. Është problem deri në zbardhjen e kësaj pune, mund të jetë edhe vrasje me pagesë”, kanë sqaruar tutje nga prokuroria e Shtetit.

E eksplozivi ka qenë i montuar në kasafortën e postës, e cila gjendej në dyert e shtëpisë së Viktimës.

“...kur ka dalë viktima, ka dashtë me e mbyllë derën është aktivizuar eksplozivi. Ai ka qenë i vendosur mbi kasetën e postës tek dera e shtëpisë së viktimës”.
Shtëpia e viktimës ka kamera të instaluara. Të njëjtat Prokuroria i ka marrë si prova për këtë rast, konfirmon për Express, kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.

“Ne i kemi marrë kamerat e sigurisë i kemi dërguar për ekzaminim. Tash po i presim, vonojnë disa ditë. Familja e vëllait të viktimës me të cilët kohë më parë kanë pas konflikt, gjndet në Gjermani. Po i presim hetuesit edhe të shohim”, ka shtuar Selimaj.

E në familjen Ahmeti të Smolicës vite më parë ndodhi edhe një ngjarje e rëndë nga e cila u trondit opinioni. Brenda kësaj familje ekziston edhe një histori po aq e rëndë sa kjo e sotmja. Më 2013, djali i Haxhiut, Ali Ahmeti, u vra nga axha i tij. Djali i viktimës së sotme ishte 29-vjeç.


Vendi i ngjarjes
I njohur në Gjakovë si njeri që sillte probleme, i ndjeri Ali Ahmeti nga Smolica, duket se kishte raport të këqija edhe me familjarët e tij. Pas një zënke në shtëpinë e axhës Abaz Ahmeti, i riu mbeti i vrarë.

Të ndjerin Ali Ahmetin (i njohur edhe si Ali Sakica), e njihte e gjithë Gjakova si person problematik. 29-vjeçari, mes tjerash, më herët kishte plagosur edhe një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

E duket se raporte të tilla, Aliu kishte edhe me axhën e tij, Abazin.

Historia e Familjes: Familja e të ndjerit, është prej familjeve më me ndikim në Komunën e Gjakovës. Shumica e meshkujve të kësaj familje ishin pjesë e luftës së fundit dhe pas luftës, për shkak të lidhjeve politike (kryesisht me Ramush Haradinajn por edhe me njerëzit e PDK-së) ata krijuan ndikim politik e ekonomik në Gjakovë.

Kështu, Ismet Ahmeti që pas luftës mbante pozita të ndryshme në TMK, sot është Drejtor i Radoniqit. Ai ishte njëri prej xhaxhallarëve të të ndjerit, Ali Ahmetit.

Shtuar më 15/10/2018, ora 12:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori