Prokurimi publik rrezikoi 15 milion euro
Lëvizja FOL publikoi sot raportin “Monitoruesi i Prokurimit 2012”, cili paraqet parregullsitë dhe shkeljet ligjore që Ministritë, Komunat dhe Ndërmarrjet Publike kanë bërë gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në tenderë të ndryshëm.

Në këtë raport është paraqitur një analizë të problemeve dhe sfidave që ka hasur gjatë monitorimeve direkte të procedurave të prokurimit në autoritete të ndryshme kontraktuese dhe një trend krahasues të shkeljeve të bëra nga institucionet e lartë-përmendura në vitin 2011 dhe 2012.


Petrit Zogaj në këtë konferencë tha se “në prag të pesë vjetorit të shtetit të Kosovës, institucionet e Kosovës kanë treguar seriozitet të dobët në sundimin e rendit dhe ligjit, me një specifik të veçantë në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Sipas tij “nëse shikohen shkeljet dhe aferat korruptive në prokurimin publik që institucionet kanë bërë, shihet qartë që deklaratat dhe strategjitë anti-korrupsion tashmë nuk janë as serioze dhe as të dobishme”. Duke parë se ky sektor është sektori më i korruptuar ne kemi kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të themeloj Komision Ad-hoc për hetime parlamentare në shumë ministri sa i përket realizimit të procedurave të prokurimit publik dhe padyshim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo sipas Petrit Zogajt është e domosdoshme duke parë se “vetëm skandali i pasaportave biometrike, përpos që ka rrezikuar çështjen e liberalizimit të vizave, ka tregu qartë edhe papërgjegjësitë institucionale të Qeverisë dhe të ministrave të ndryshme”. Keqpërdorimet dhe aferat korruptive në prokurimin publik përpos që duhet të adresohen nga ana e institucioneve qeverisëse, atyre gjithashtu të ju kushtohet vëmendje nga ana e institucioneve të sistemit të drejtësisë duke vënë si prioritet këtë sektor për hetim dhe procedim të aferave korruptive në këtë sektor.


Kenan Tora prezantoi të gjeturat e raportit ku tha se “ministritë e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2012 kanë bërë shkelje të shumta ligjore në gjithsej 27 tenderë të ndryshëm”. Nga ministritë më së shumti shkelje ligjore ka bërë Ministria e Infrastrukturës duke bërë shkelje ligjore në 6 tenderë, më pas saj radhitet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që ka bërë shkelje ligjore 5 tenderë, Ministria, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në 4 tenderë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Forcës së Sigurisë së Kosovës në nga 2 tenderë.
Kurse ministritë në të cilat janë evidentuar shkelje ligjore vetëm në një tender janë Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Nga 27 tenderë trembëdhjetë (13) janë kthyer në ri-tenderim, dymbëdhjetë (12) janë kthyer në ri-vlerësim, kurse dy aktivitete të prokurimit janë anuluar tërësisht.

Ndërmarrjet publike gjatë vitit 2012 nuk i kanë zhvilluar procedurat e prokurimit konform dispozitave ligjore në njëzet (20) tenderë të ndryshëm. Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë shkelje në dymbëdhjetë (12) tenderë, ndërkaq Postë-Telekomi i Kosovës ka bërë shkelje ligjore në tetë (8) aktivitete të ndryshme të prokurimit. Prej tyre 4 kanë shkuar në ri-tenderim, 15 kanë shkuar në ri-vlerësim, kurse një aktivitet prokurimi është anuluar tërësisht.
Komunat në vitin 2012 nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore në gjithsej 27 aktivitete të prokurimit. Prej tyre dymbëdhjetë (12) janë kthyer në ri-tenderim, 14 në ri-vlerësim dhe një tender është anuluar. Komuna e Gjilanit është komuna që ka bërë më së shumti shkelje me 4 tenderë. Pastaj vijnë Komuna e Ferizajt, e Gjakovës dhe e Pejës me nga 3 tenderë. Ndërkaq me nga 2 tenderë janë Komuna e Prizrenit, e Kamenicës dhe e Mitrovicës. Dhe me një tender të vetëm janë Komuna e Prishtinës, e Shtërpcës, e Shtimes, e Lipjanit, e Suharekës, e Vitisë, e Novobërdës dhe e Kllokotit.


Nga rreth 74 tenderë në të cilët janë evidentuar parregullsi dhe shkelje ligjore, në vetëm 64 prej tyre është siguruar vlera monetare e këtyre tenderëve. Shuma e përafërt monetare e cila potencialisht ka qenë e rrezikuar të keqpërdoret gjatë realizimit të këtyre procedurave të prokurimit ka qenë rreth 15 milionë euro. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2013, ora 16:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori