Programet e partive pa asnjë risi
Pëlqej
Prishtina
Nga programet zgjedhore të partive politike është hequr vetëm fjala “pavarësi”, ndërsa zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, mirëqenia sociale dhe integrimi i vendit në mekanizmat ndërkombëtarë kanë mbetur fjalë të të njëjtit zhargon politik që të proklamojnë partitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Për dhjetë ditë rresht, sa do të zgjasë fushata e partive politike, qytetarët duke se nuk do të dëgjojnë asnjë ofertë të re, përjashtuar qëndrimin e dy subjekteve të reja politike “Fryma e Re” dhe “Vetëvendosje”, shkruan e përditshmja Zëri.

Kështu, pavarësisht kritikave dhe kundërkritikave në mes të partive opozitare dhe atyre qeveritare për rreth tri vjet sa ka “jetuar” ish Qeveria e Kosovës, partitë e mëdha nuk do të dallojnë shumë gjatë fushatës parazgjedhore.

Nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi thotë se partia e tij nuk ka se çka të ndryshojë nga platforma zgjedhore e zgjedhjeve të kaluara, ngase sipas tij, të njëjtat gjëra që janë premtuar para tre vjetëve duhet të realizohen pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se ngritja e ekonomisë, krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i mirëqenies sociale dhe integrimi i vendit përbën fjalorin e tyre elektoral.

Ndërkaq, analisti Krenar Gashi thotë se partitë politike duhet t’i qasen seriozisht këtyre zgjedhjeve dhe në programin e tyre të fusin zhvillimin ekonomik dhe jo këtë segment ta përmendin vetëm sa për sy e faqe.
Shtuar më 06/11/2010, ora 14:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori