Rruga e Arbrit/ Mziu thotë se nuk ka mbaruar as gjysma, Balluku: Nuk mbeti ëndërr, ka ndryshuar jetën e qytetarëve

Ashtu siç ishte përcaktuar në rendin e ditës për seancën e sotme plenare, deputeti i PD Xhelal Mziu ka kërkuar interpelancë me ministren Balluku për Rrugën e Abrit.

Mziu tha se nuk ka përfunduar as gjyma e Rrugës së Arbrit dhe sipas tij nuk i plotëson standardet.

“19 herë ka pasur deklarata ose të kryeministrit ose të ministrave për fillimin apo mbarimin e punimeve, por rruga ka ngelur rrugëve. Me rrugën e Arbrit sikur u bë një shpikje…Rruga e parë me PPP që do bëhej do të ishte rruga  e Arbrit dhe të ishte hapi i parë i kësaj qeveria me shpikjen e PPP. Kjo rrugë mbetet sërish një ëndërr për dibranët, bulqizakët sepse as gjysma e asaj rrugë nuk është mbaruar…Ajo nuk plotëson edhe kriteret e lidhjes me një qytet”, tha ai duke shtuar: “Rruga jo vetëm që nuk mbaroi brenda afatit por u shty dhe në çdo palë zgjedhje shkonin për të parë punimet…”, theksoi ai.

Nga ana e saj ministrja Balluku tha se rruga i ndryshoi jetën qytetarëve të Dibrës.

“U tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme. Por nëse kjo është kaq e rëndësishme se kuptoj përse kërkuesi i interpelancës nuk i ka shtyrë bashkëpartiakët e tij ta bënin këtë rrugë. Kjo rrugë kaq e rëndësishme filloi vetëm kur qeveria analizoi studimet mbi ata që ishin bërë. Tani flet për vende punë, ndërkohë që përfaqëson Dibrën. Unë kohet e fundit jetën politike e zhvilloj në qarkun e Dibrës, dhe ajo që shoh dhe marr nga njerëzit janë se këto punë të bëra në Rrugën e Arbrit ka ndryshuar jetën e qytetarëve. Të vish në foltore dhe të thuash se rrugët kanë mbetur rrugëve nga ata që i lanë rrugëve, ky është një abuzim shumë i madh. Tani zotëria e di që kur vinte në fushatë, vinte dhe kthehej brenda ditës. Sot bujqësia në atë zonë ka lulëzuar edhe për shkak të infrastrukturës, flet për ëndrra dhe thotë Rruga e Arbrit mbeti ëndërr. Jo asgjë nuk mbeti ëndërr në qeverinë Rama. Ëndrrat i keni ju ne kemi detyrë t’jua bëjmë ëndrrat realitet sepse ju konsiderojmë si qytetarë të republikës së Shqipërisë”, tha Balluku./albeu.com