"Pritet krizë të thellë politike nëse Kushtetuesja i jep të drejtë LDK-së për formim të qeverisë" (VIDEO)
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, Agron Demi e Donika Emini, në Deskun e KOHËS, e kanë quajtur të rrezikshme mundësinë që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë së re, pa përfshirjen e Vetëvendosjes si fituese të zgjedhjeve të fundit.

Të dy analistët kanë thënë se kjo do t’i hapte rrugë shkatërrimit të sistemit në Kosovë duke shtuar se “do të kishim zgjedhje shumë më shpesh se deri tash”.

“Po shpresoj që vendimi përfundimtar i Kushtetueses më shumë do të krijojë qartësi se paqartësi. Ka ndodhur në të kaluarën kur kanë krijuar më shumë paqartësi. Për shembull më 2014, te VLAN-i ishte vendosur që partia që ka fituar shumicën e votave në zgjedhje që të krijojë qeverinë e jo një shumicë parlamentare. Kjo të themi ka prishur të gjithë sistemin duke bërë që gjithqysh partia e parë të jetë pjesë e qeverisë. Nëse e bën tash që edhe pa fituesin të krijohen institucionet, do të kemi situatë kur qeveritë do të krijohen sa për sy e faqe sa për të përmbushur një aktgjykim kushtetues e më pas menjëherë do të rrëzohen qeveritë për të krijuar të tjera. Te qytetarët do të shihet se votimi nuk sjell ndryshim. Kjo është shumë e keqe”, ka thënë Demi.

Sipas tij, “do të ishte mirë që Kushtetuesja të stopojë formimin e Qeverisë së re deri në një aktgjykim përfundimtar e më pas sado që të duket i drejtë apo jo, të gjitha palët ta respektojnë”.

Në anën tjetër, Emini ka thënë se sikur Gjykata t’i jepte të drejtë qeverisë së re, do të bënte që Kosova të futej në krizë të thellë politike.

Nëse krijojmë precedent të tillë demokracia fragjile e Kosovës do të dëmtohet tepër. Ne do të rrimë në krizë politike gjithmonë nëse ndodh kjo. Për problemin më të vogël do të rrëzoheshin qeveritë. Ky është devijim i demokracisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se vendi do të mund të shkojë në zgjedhje, vetëm pasi koalicioni i ri të përfundojë një marrëveshje me Serbinë.

Për një marrëveshje me Serbinë, sipas Demit, bashkësisë ndërkombëtare i intereson vetëm fotografia e nënshkrimit dhe pak se si do të ratifikohet ajo nëpër vende brenda.

Të dy janë shprehur se Qeveria e re LDK-AAK-Nisma-AKR do të ketë më shumë vështirësi në funksionim për shkak të numrit të madh të partive e numrit jo të madh të votave në Kuvend.
Shtuar më 30/04/2020, ora 23:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori