Prishtina, qytet edhe për mësues e mjekë (FOTO-LAJM)

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE dhe kandidati i saj për kryetar komune Shpend Ahmeti prezantuan politikën programore për Prishtinën të emëruar, Prishtina qytet edhe për mësues e mjekë. Kjo politikë mundëson që mësuesit, arsimtarët, mjekët, zjarrfikësit dhe punëtorët e administratës të ri dhe të vjetër të cilët nuk e kanë të rregulluar çështjen e banimit, të kenë mundësi të blejnë banesa me kosto të përballueshme përmes të një kontrate shumëvjeçare që tregon përkushtimin e tyre për shërbimin publik.

Projekti ynë, “Prishtina, qytet edhe për mësues e mjekë” kombinon përvojat e Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-së, Kanadasë, me një përshtatje kushteve të Kosovës. Ky projekt synon rregullimin e banimit për punëtorët e sektorit publik të cilët do të kenë mundësinë e pronësimit/blerjes së banesave në Prishtinë edhe me të hyrat me të cilat disponojnë. Punëtorët e sektorit publik dhe ata të cilët kanë të hyra më të ulëta në sektorin privat janë të diskriminuar nga e drejta e banimit me kosto të përballueshme.

Herët a vonë shumica e qyteteve të mëdha ballafaqohen rritjen e kostos së banimit. Shumica e qyteteve Evropian kanë ndërmarr politika aktive për të balancuar situatën dhe mundësuar banimin me kosto të përballueshme. Po ashtu, në Kosovë shumica e njerëzve që punojnë për sektorin publik janë njerëz që paguhen në ose nën nivelin e pagës mesatare në Kosovë. Duke marrë parasysh se shumica e këtyre punonjësve jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, atëherë kostoja e banimit na paraqitet si një kosto e papërballueshme për këta shërbyes të interesit publik. Pra sakrifica që dikush e merr për të shërbyer publikun me paga nën mesataren vështirësohet edhe më shumë me problemin e kostos së banimit.

Dita ditës numri i njerëzve që duan të punojnë si mësues, arsimtarë, punëtorë të shëndetësisë publike, zjarrfikës është në rënie. Kemi njerëz që për shkak të mungesës së vendeve të punës detyrohen por jo edhe shumë të tillë që zgjedhin këtë profesion për shkak të vullnetit për të qenë shërbyes publik. E përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera do të kërkojë motivimin e njerëzve të rinj që të merren me këto profesione, dhe do të kërkojë respektin dhe mirënjohjen për ata që kanë kontribuar që sa vite.

Shtjellimi i problemit

Komuna e Prishtinës ka gjithsej 4,634 persona te punësuar, prej te cilëve 728 sosh janë në administratë, përfshirë këtu dhe zjarrfikësit, 3182 në arsim dhe 724 janë të punësuar në shëndetësi. Paga mesatare ne bazë të buxhetit është 399 euro, ndërsa sipas sektorëve në administrate paga është 362 euro, ne arsim 374 euro derisa ne shëndetësi, 544 euro.

Duke marrë parasysh qe kostoja mesatare e blerjes se banesës për m2 është 700 euro dhe kostoja e banimit me qira ne Prishtine është më e lartë se çdo kund tjetër ne Kosovë (minimum 200 euro për një banesë 60m2) konkludohet se me këto te hyra mujore as për së afërmi nuk mbulohen nevojat e kujtdo të punësuari në secilin prej këtyre sektorëve, për blerjen e ndonjë banese qoftë dhe 60m2 në Prishtine, apo edhe të ketë një jetë të dinjitetshme nëse zgjedh banimin me qira. Ndërsa në qoftë se të punësuarit në këta sektorë dëshirojnë të blejnë një banese me 50 m2 katrorë, me çmim prej 700 euro/m2, dhe marrin kredi 10 vjeçare me 8.9% kamate vjetore (kamata më e lirë në treg), kësti mujor i bie 441 euro. Pra, kjo tregon pamundësinë e rregullimit të çështjes së banimit për gjithë ata që janë të punësuar në sektorin publik.

Prishtina, qytet edhe për mësues e mjekë i mundëson punëtoreve të sektorit publik qe shërbejnë dhe punojnë për shtetin mundësinë për tu bërë pronar të banesave duke siguruar kështu jetë më të mirë dhe të dinjitetshme.

Zgjidhja

Këto banesa do të ndërtohen nga Komuna me financim me organizata ndërkombëtare qe përkrahin projekte të banimit të përballueshëm e të tilla ka shumë. Nga këto organizata do sigurohen fonde me kosto të përballueshme, pra kamate të ulët vjetore, fonde me të cilat do bëhet ndërtimi i lagjeve të rregulluara që do mundësonin kosto banimi të përballueshëm.

Këto ndërtime do te lidhen me biznesin vendor ku projektimi, materiali, dhe puna do blihen nga prodhuesit dhe bizneset vendore. Pra, fonde me kosto të ulët për banim të përballueshëm për punëtoret e sektorit publik dhe në të njëjtën kohë paraja mbetët në ekonominë e vendit duke shfrytëzuar resurset dhe prodhuesit vendor.

Banimi i përballueshëm do t'u mundësoj punëtoreve qe me pagesa te vogla mujore për një periudhe 10 vjeçare te shërbimit për arsimin, për shëndetësinë, pra për interesin publik, të bëhen pronarë te banesave ne lagje te rregulluara dhe të planifikuara mirë.

Në ketë mënyrë ne do tu mundësojnë atyre që kanë të hyra më të ulëta qe me kosto të ndërtimit të blejnë banesa të kualitetit të mesëm që varësisht prej madhësisë 40, 50 dhe 60 m2 të paguhen me rata 100 euro, 125 deri në 150 euro në muaj të cilat do të ndalen nga mujore dhe rrjedhimisht janë të garantuara si të hyra për komunën. Ky program do të zgjerohet edhe tek grupe tjera me të hyra të ulëta.

Me këtë zgjidhje do planifikohej zhvillimi i lagjeve të reja për banim kolektiv në përputhje me planin zhvillimor të komunës. Do të motivoheshin punëtorët e tanishëm të sektorit publik dhe do të motivoheshin kuadro të reja të sektorit publik për të përmirësuar këta sektorë të rëndësishëm të zhvillimit tonë. Do të ndihmohej sektori lokal i ndërtimtarisë, si ai i prodhimit të materialit ndërtimor ashtu edhe ai i ndërtimtarisë sepse projektet do të ndërtoheshin nga kompani të mirëfillta që kanë punuar në mënyrë ligjore në vitet e kaluara. Do të krijoheshin vende të punës dhe politika lehtë mund të replikohet edhe për pjesë tjera të shoqërisë edhe në komuna të tjera me probleme të ngjashme.

Po ashtu, politikat e tilla do të rrisnin fondin e banesave sociale me qira të ulëta për familjet e rrezikuara sociale dhe familjet e veteranëve të luftës. Ne jemi të përkushtuar që të zgjidhim problemet e qytetarit. Kur ka vullnet, plan, dhe ekip, zgjidhjet janë të mundshme. Ta ndryshojmë bashkë Prishtinën. /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2013, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori