Prishtina pa ujë nga frika e helmimit të ujit nga të arrestuarit për terrorizëm
Disa lagje të kryeqytetit janë pa ujë që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Lagjet e prekura janë ato që furnizohen nga liqeni i Badovcit, ndërsa ndërprerja e furnizimit me ujë është e ndërlidhur me arrestimin e tre personave të dyshuar për terrorizëm po në liqenin e Badovcit mbrëmë rreth orës 01:40 pasi dyshohet se të njëjtin kanë mundur të hedhin lëndë helmuese në liqen.

Zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", Arjeta Mjeku, ka konfirmuar se uji është ndërprerë si pasojë e arrestimit të tre personave të dyshuar për terrorizëm në liqenin e Badovcit.

"Lagjet që furnizohen me ujë nga liqeni i Badovcit kanë mbetur pa ujë që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm. KUR "Prishtina" ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ndërsa me të marr informatën se janë arrestuar tre persona të dyshuar për terrorizëm afër liqenit, KUR "Prishtina", në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), ka marr vendim që të ndërpres furnizimin me ujë për një kohë të pacaktuar", ka thënë Mejku për portalin Koha.

Ajo ka theksuar se furnizimi me ujë do të kthehet në momentin që marrin konfirmimin nga IKSHP se uji është i pastër për konsum.

Ndërkaq, pas njoftimit për arrestimin e tre të dyshuarve për terrorizëm ditën e sotme, në media po qarkullon një dokument jo-zyrtar i organeve të sigurisë në të cilin po ashtu potencohet rreziku se persona me lokacion në Kosovë të lidhur me shqiptarët që po luftojnë përkrah ISIS-it, mund të ndërmarrin ndonjë sulm në infrastrukturën e ujësjellësit dhe liqenet artificiale në Prishtinë dhe në Shkup. /albeu.com/


Shtuar më 11/07/2015, ora 13:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori