Prishtina, "Komunë e Hapur" (FOTO-LAJM)

Sot Kandidati për Prishtinën Shpend Ahmeti dhe kandidati për asambleist Ylli Hoxha, paraqitën politikën "Komuna e hapur" ku shpjeguan veprimet konkrete në funksion të kësaj politike.

Plani ynë është që:

Çdo kërkesë administrative e drejtuar administratës komunale të Prishtinës do të marrë përgjigje brenda 30 ditëve përveç në qoftë se afati për çështje specifike është rregulluar me ligj të veçantë. Kërkesa përveç në formën fizike do të procedohet edhe në formë elektronike me që rast secili qytetar do të mund të sheh statusin e secilës kërkesë drejtuar departamenteve të ndryshme në Komunë. Me këtë rast Komuna do të bëjë edhe vlerësimin e punës së departamenteve të ndryshme në përgjigjet drejtuar qytetarëve. Kërkesat me interes të veçantë publik siç janë lejet e ndërtimit të cilat prekin interesin edhe të qytetarëve tjerë do të jenë publike për të gjithë qytetarët në webfaqen e Komunës.

Depolitizimi në punësim – aplikacionet anonime

Duke u bazuar në situatën konkrete të punësimit në Kosovë, e konkretisht dhe në Komunë, duke iu referuar dhe studimeve bashkëkohore mbi diskriminimin në punësim, ne propozojmë politikën programore të aplikacioneve anonime. Për t'u shmangur preferencave politike, Komuna dhe administrata publike zhvillojnë formularë të rinj të punësimit të cilat mundësojnë që kandidatët të ofrojnë informata mbi veten dhe të cilat vlerësohen në mënyrë anonime derisa të arrihet në listën e ngushtë të kandidatëve për t'u intervistuar.

Komuna zgjidh problemin

Qytetarët do të mund të raportojnë përmes internetit ose numrit të telefonit pa pagesë problemet në infrastrukturë publike, si gropat në rrugë, mungesa e kapakëve të pusetave, uzurpimi i pronës publike, rregullimi i rrjedhjeve të ujit apo shpërthimet e gypave të ujërave të zeza, etj. Shërbimi përkatës komunal do të reagoj për të përmirësuar problemin duke dhënë kohën brenda së cilës do të rregullohet problemi.

Vendimet e rëndësishme komunale dhe ato në lagje do të merren pas konsultimeve me qytetarët

Momentalisht, Komuna e Prishtinës është e obliguar t'i mbajë dy takime në vit me qytetarët e të cilat mezi mbahen. Nën qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të organizojmë takime me qytetarët çdo muaj, ose në lagje ose në gjithë Komunën dhe sa herë që ka nevojë për të zgjidhur bashkërisht problemet me të cilat ballafaqohemi. Ne do të fuqizojmë bashkësitë lokale në proces dhe do t'i bëjmë bashkëpjesëmarrëse në ndarjet buxhetore për investimet kapitale në Prishtinë.

E-administrata

Komuna e Prishtinës do t’i ofrojë shërbimet e saj edhe në formë elektronike. Për të lehtësuar shërbimin ndaj qytetarit do të synohet përdorimi i formave elektronike të aplikimit, caktimit të termineve për shërbimet të cilat Komuna i ofron. Do të zvogëlohen hapat administrativ për shërbimet e tilla.

Video pjesëmarrja

Aktivitetet kryesore dhe seancat e Kuvendit Komunal do të incizohen dhe do të publikohen në kanalin zyrtar të Komunës së Prishtinës në YouTube.

Qasja e Garantuar

Komuna do ta respektoj ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Të gjitha kërkesave do t’u përgjigjemi brenda tre ditë pune. Kur nuk e dini ku duhet kërkuar dokumentin e caktuar, ne do t’ju ndihmojmë ta gjeni atë. /albeu.com/

Shtuar më 11/09/2013, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori