Princi Charles: Rrëfimet në Prishtinë ma thyen zemrën
Princi Charles tha se rrëfimet që ka dëgjuar në Prishtinë nga familjarët e të pagjeturve ia kanë thyer zemrën. Megjithatë, ai është shprehur i bindur se pajtimi dhe falja çojnë drejt në të ardhme më të mirë dhe se nuk duhet lejuar veten të bëhemi të burgosur të historisë.

Me pritjet e zyrtarëve shtetërorë dhe vizitat në qendra dhe qytete të ndryshme, Princi Charles dhe Dukesha Camilla kanë përfunduar vizitën e tyre dy-ditore në Kosovë.

Ditën e dytë të vizitës ata e nisën në takim me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila e dekoroi atë me Urdhrin për Paqe Demokraci dhe Humanizëm "Dr. Ibrahim Rugova".

Jahjaga falënderoi Lartmadhërinë e Tij, Princin Charles për rolin qenësor të Britanisë së Madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme në vendin tonë.

Ajo theksoi se vizita e Lartmadhërisë së Tyre në Kosovë rikonfirmon lidhjet e veçanta dhe të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Temë diskutimi ndërmjet tyre ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, për përparimin e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, si dhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Presidentja Jahjaga dhe Princi Charles diskutuan edhe për angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Britanisë së Madhe për ruajtjen dhe promovimin e tolerancës ndërfetare dhe parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pas këtij takimi, çifti mbretëror së bashku me presidenten Jahjaga kanë vendosur kurora lulesh pranë monumentit për personat e pagjetur, që gjendet në hapësirën e Kuvendit të Kosovës.

Princi i Uellsit, Charles, ka takuar qytetarë të shumtë në sheshin “Ibrahim Rugova”, të cilët e kanë falënderuar për vizitën e tij në vendin tonë.

Ai pati rastin të takohet me disa familjarë të cilëve u janë zhdukur të afërmit gjatë kohës së luftës. Madje, disa prej tyre i thanë Princit se nuk do të ketë pajtim me Serbinë, derisa të kthehet kufoma e fundit në Kosovës.

Disa gra nga shoqata "Thirrjet e Nënave", i kanë kërkuar Charles-it që t’i bëjë presion Serbisë në mënyrë që t’i kthejë më të dashurit e tyre të zhdukur, ndërsa kriminelët të dalin para drejtësisë.

Njëra prej tyre, Ferdane Qerkezi, me lot në sy tregoi për rastin e familjarëve të saj të zhdukur. Ajo i tha Princit se burri dhe dy djemtë saj janë në ende Serbi. /albeu.com/
Shtuar më 20/03/2016, ora 09:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori