Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon t’ia kërkojë dorëheqjen Atifete Jahjagës. Shefja e Shtetit ka nervozuar subjektin më të madh opozitar pasi ka dërguar letër në Gjykatën
Kushtetuese, ku është shprehur kundër shkurtimit të mandatit të saj. Deputeti Lutfi Haziri ka thënë se
Jahjaga nuk duhet të harrojë se si është bërë presidente.
Kur LDK-ja kishte vendosur të bashkëpunojë me PDK-në dhe të tejkalojë problemin e zgjedhjes së Presidentit, shumëkush kishte menduar se roli opozitar i Partisë së Isa Mustafës ka përfunduar.
Por, katërmbëdhjetë muaj më vonë, LDK-ja po jep shenja se ka vendosur të jetë krejtësisht në pozicionin e opozitës.
Jo, sikur në prillin e vitit 2011, kur Isa Mustafa bashkë me PDK-në dhe AKR-në zgjodhën Atifete Jahjagën për Presidente, me mandat të kufizuar.
Tash raportet e LDK-së me Presidenten
Jahjaga janë acaruar, prejse kjo e fundit nisi një deklaratë me shkrim në drejtim të Gjykatës
Kushtetuese, në të cilën kërkoi të mos i shkurtohet mandati me amendament kushtetues, shkruan “Express”.
Komisioni i përbërë nga shumica e partive ka hartuar amendamentet
kushtetuese, që parashohin fundin e Jahjagës në krye të shtetit. Është paralajmëruar se Amendamenti i Dhjetë që flet për mandatin e
Presidentes, do të shpallet antikushtetues nga Gjykata.
Krejt këtë situatë, LDK-ja po e sheh si tendencë të
Presidentes Jahjaga për të qëndruar pesë vjet në Presidencë dhe për të prishur marrëveshjen e pesë prillit të vitit të kaluar.
Por,
Jahjaga asnjëherë nuk ka thënë se nuk do të respektojë marrëveshjen e liderëve.
Në emër të LDK-së, Vjosa Osmani ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të
Presidentes, ose dorëheqjen efektive në momentin që votohen ndryshimet
kushtetuese, qoftë edhe pa amendamentin e dhjetë.
Shtuar më 25/06/2012,
ora 10:53