Presidentja rri nën hije
Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vazhdon ta drejtojë shtetin sipas “sistemit të mbyllur”, duke preferuar më shumë heshtjen sesa deklarimin për çështje të ndryshme, pavarësisht nga rëndësia e tyre. Për gjashtë muaj sa ka bërë “stazh” në Presidencë, rastet kur e para e shtetit ka marrë qëndrim për një çështje mund të numërohen në gishtat e njërës dorë.

Edhe atëherë kur opinioni ka marrë qëndrimin e shefes së shtetit, kjo është bërë nëpërmjet ndonjë kumtese për medie të lëshuar nga kabineti i saj, në të shumtën e rasteve me vonesa nga dy-tri ditë. Ndryshe nga paraardhësit e saj, të cilët edhe në situatën më të rëndë janë ballafaquar me gazetarë, përkatësisht me pyetjet e tyre, Atifete Jahjaga, për gjysmë viti është treguar e “pamëshirshme” me mediet, duke u ikur në çdo variant pyetjeve të gazetarëve.

Kjo madje ka ndodhur edhe në rastet e pakta kur ajo, pas takimit me ndonjë burrështetas ka dalë para gazetarëve, ndërsa këshilltarët e saj janë kujdesur që t’i “edukojnë” gazetarët se ose nuk duhet të pyesin fare, ose duhet të pyesin vetëm për temën e përzgjedhur nga presidentja.

Njëra nga situatat kur Jahjaga “ka harruar” ta bëjë punën e saj ka të bëjë me sulmimin e pjesëtarëve të KFOR-it nga kriminelët në veri.

Kjo duket se nuk i kishte bërë përshtypje presidentes së vendit, edhe pse, për një gjë të tillë kishin reaguar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, madje ishte mbledhur për të diskutuar për këtë çështje edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ky është vetëm një rast kur shefja e shtetit është treguar e ngadaltë në raport me proceset në vend.

E dalë nga zarfi, komunikon me zarfa

Analisti Shkelzen Gashi ironizon me mënyrën se si është duke qëndruar larg opinionit presidentja Jahjaga, duke pohuar se karriera e saj politike ka nisur me kuvertë, prandaj, çdo gjë po bëhet sipas këtij “sistemi”, dhe si rrjedhojë gjithçka po ecën ngadalë.

“Kjo (Jahjaga) komunikimin e bën vetëm me zarfa. Si është zgjedhur me zarfa, ashtu komunikon me zarfa. Për t’i dhënë qëndrimin e saj qytetarëve të Kosovës për proceset që ndodhin, kjo duhet të marrë zarfin dhe ta dërgojë atë. Mund të ndodhë që zarfi të vonohet tri-katër ditë, derisa të vijë”, thotë Gashi.

Sipas tij, arsye tjetër që e para e vendit çdo punë e merr “larg zemrës”, është fakti se ajo nuk e përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës, por atë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.

“Absolutisht ajo nuk ka qëndrim për asnjë ngjarje politike që ndodh në Kosovë, por qëndrimet ose janë të ambasadës amerikane ose janë të këshilltarëve të saj, të cilët janë të zgjedhur nga ambasada amerikane”, thotë ai.

Gashi thekson se në rrethana tjera, Jahjaga do të merrte qëndrim për shumë çështje, edhe nëse këshilltarët do t’i thoshin të kundërtën. “Ajo nuk ka mendim. Ajo është tipike kukull, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ajo bën çka t’i thotë ambasada amerikane qoftë nëpërmjet këshilltarëve të saj, qoftë nëpërmjet vetë ambasadorit amerikan”, shprehet ai.

Presidentja në detyrë të huaj

Ndërkaq, publicisti Nexhmedin Spahiu, thotë se e para e vendit ende nuk e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë në pozitën që ka. “Këshilltarët të cilët i ka e kryejnë punën tek kur e marrin detyrën, ose nuk e këshillojnë, ose ajo nuk i dëgjon, apo nuk di cilin ta dëgjojë, që do të thotë nuk ka ndonjë qëndrim të vetin”, shprehet ai.

Spahiu thotë se presidentja Atifete Jahjaga është duke e kryer një detyrë, të cilën nuk ka kapacitet ta bëjë.

“Është mundim i tepruar dhe është gabim i atyre që e kanë qitur në një detyrë të tillë. Kjo është njësoj sikurse një gazetar ta bësh pilot, pastaj t’i thuash pse po e shtyp këtë pullë, pse atë, pse nuk po e ngre apo nuk po e ul aeroplanin. Ky do të ishte një mundim i tepërt për gazetarin, sepse nuk është pilot dhe është duke e drejtuar aeroplanin”, shprehet ai.

Ai thekson se përveç aftësisë, Jahjaga nuk ka as fuqinë politike për ta kryer punën e presidentes.

Edhe analisti tjetër, Avni Zogiani, thotë se presidentja Atifete Jahjaga nuk ka ekzistuar më parë politikisht, gjë që, sipas tij, e bën atë të hendikepuar.

“Mendoj që ajo e ka të vështirë të veprojë politikisht, sepse, thjesht, është zgjedhur për pozitën që e ka nëpërmjet një procesi krejt teknik që nuk ka të bëjë hiç me politikë dhe ajo praktikisht nuk ka identitet politik, nuk e di askush se cili është angazhimi i saj dhe normalisht që nuk është shumë befasuese që ajo të mos e ketë idenë për zhvillimet politike”, shprehet Zogiani.

Presidentja në “hap me kohën”

Arbër Vllahiu, këshilltar për medie i presidentes Jahjaga, thotë se presidentja është duke e luajtur rolin e saj kushtetues, ku përveç deklarimeve publike, veprimet e veta i bën edhe duke respektuar vijat institucionale.

“Deri tani nuk ka pasur shmangie ose vonesë në asnjë obligim të saj. Disa aktivitete janë kryer së bashku me kryeministrin, disa të tjera me ministrin e Jashtëm, derisa çështja e rregullativës ligjore është e harmonizuar me Kuvendin e Kosovës. Agjenda evropiane është e harmonizuar, përveç me Ministrinë e Jashtme, edhe me Ministrinë e Integrimeve Evropiane”, thotë Vllahiu. /Zëri/
Shtuar më 08/10/2011, ora 15:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori