Trajneri i Lushnjes konteston humbjen ndaj Apolonisë: Po folëm të vërtetën e hamë, ndeshja u bë për humor

Apolonia mori një fitore tejet të rëndësishme në ndeshjen e djeshme të Kategorisë së Parë ndaj Lushnjes, duke hedhur një hap të sigurt drejt rikthimit në Superiore. Megjithatë, takimi i gjykuar ga Blerim Ziri shkaktoi polemika, sidomos në anën e lushnjarëve.

Ata kishin kaluar të parët në avantazh, por në fundin e pjesës së parë u barazuan pasi një penallti u akordua në favor të vendasve.

Te Lushnja pati protesta të shumta për 11-metërshin, por vendimi nuk u kthye dhe Apolonia barazoi shifrat. Ndërkohë, në pjesën e dytë, fierakët shënuan edhe dy herë të tjera për të marrë tre pikët. Sakaq, pas ndeshjes trajneri i Lushnjes, Ilir Gjyla ka kontestuar penalltinë e akorduar duke theksuar se nëse flasin, atëherë e pësojnë. Në prononcimin për RTSH, Gjyla u shpreh se ndeshja u bë për humor.
Çfarë ndodhi, pasi kaluat të parët në avantazh dhe më pas u përmbysët? “Nuk e patë ju çfarë ndodhi?! Ju e dini, që është një rregullore, që po thamë të vërtetën e hamë. Mund ta shikoni ndeshjet. E patë çfarë penallti u dha?!

Do bëjmë pak humor, se për kështu u bë kjo ndeshja sot. Vëllai im e ka shumë qejf peshkun. Shkoi njëherë dhe mori një peshk të madh. Kur e solli në shtëpi po e qëronte nëna dhe kur e pashë unë, ky peshku i madh e kishte një peshk të vogël brenda”, u shpreh Gjyla.


Shtuar 16.06.2020 14:36