Kujdeseshin për një fermë të madhe kanabisi në Angli, tre shqiptarë përfundojnë në pranga

Policia britanike zbuloi një fermë të madhe kanabisi për të cilën kujdeseshin tre emigrantë shqiptarë.

Kur Edison Sulanjaku u arrestua pas një pazari droge në West End të Newcastle, oficerët zbuluan një aplikacion që kontrollonte pamjet CCTV të fermës së kanabisit në telefonin e tij celular.

Kjo i çoi ata në një fabrikë droge në shkallë industriale, me pothuajse 2,000 bimë me vlerë më shumë se 800,000 £, të cilat ishin ngritur nga një bandë kriminale në një njësi në Dunston, Gateshead.

Sulanjaku, i cili kishte një rol “mbikëqyrës” dhe “kopshtarët” Besnik Çela dhe Xhenifer Muça, janë burgosur nga Gjykata e Neëcastle Crown dhe janë paralajmëruar se do të dëbohen pas vuajtjes së dënimit.

Po nga bisedat e Whatsapp të Sulanjakut, oficerët e policisë morën dhe një adresë në rrugën Lincoln në Sunderland, ku u gjet Xhenifer Muça dhe brenda rreth 17 kilogramë kanabis i paketuar në një numër pakosh të mbyllura me vakum, me vlerë midis 43,300 dhe 65,500 £.

Të tre u deklaruan fajtorë, Sulanjaku, 24 vjeç u burgos për katër vjet e gjysmë, Muça, 22-vjeç u dënua me 18 muaj dhe Çela, 49 vjeç, pa adresë fikse, 16 muaj. Ata do të dëbohen pasi të kenë vuajtur gjysmën e dënimit pas hekurave.

Burrat u shprehën para gjykatës se ishin penduar dhe ata po vepronin nën drejtimin e të tjerëve më lart në zinxhir./Albeu.com/


Shtuar 16.04.2023 11:37