Presidenti Thaçi fal 12 të burgosur, ja për çfarë ishin dënuar
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka falur 12 të burgosur, 8 prej të cilëve kanë qenë të dënuar për vrasje apo vrasje në tentativë.

Këtë vit, 694 të burgosur kanë kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë t'i falet dënimi i mbetur.

Ali Rugova është falur nga Presidenti Thaçi. Rugova ka qenë i dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për vjedhje të rëndë. Atij i janë falur më pak 3 muaj, pasi dënimi i rregullt ka qenë deri më datën 20 korrik.

Armend Hamiti, një i falur tjetër nga Presidenti, ka qenë i dënuar me dy vjet burg për rrezikim të trafikut publik. Edhe Hamitit i janë falur vetëm 3 muaj e gjysmë.

Me të njëjtën vepër, rrezikim të trafikut publik, ka qenë edhe Hajdar Dili. Atij i janë falur më shumë, pasi nga 3 vjet sa ka qenë i dënuar, Dili i ka mbajtur 9 muaj dhe Thaçi ia ka falur dy vjet e 1 muaj.

Daut Sadriu ka qenë i dënuar me tre vjet burg për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Atij i janë falur 1 vjet e 4 muaj burg.

Ejup Muharremi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burg për vrasje në tentativë. Muharremit i janë falur vetëm 1 muaj e gjysmë burg.

Demokrat Ahmeti është dënuar me 4 vite e 6 muaj burg për vrasje nga pakujdesia. Atij Presidenti Thaçi ia ka falur 1 vjet e gjashtë muaj burg.

Fehmi Kukiqi është dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj burg për vrasje në tentativë, ndërsa i janë falur 7 muaj burg.

Hajdar Muqiqi është dënuar me 14 vjet për vrasje. Ai i ka mbajtur tashmë më shumë se 11 vjet burg. Me vendim të Presidentit Thaçi, Muqiqit i janë falur 2 vjet e 7 muaj burg.

Jaha Hasani ka qenë i dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg për vrasje. Hasanit i janë falur 3 vjet e katër muaj burg.

Zymber Osmani është një i dënuar tjetër për vrasje që është falur nga Presidenti Thaçi. Osmani ka qenë i dënuar me 11 vjet e 6 muaj burg për dy vepra penale vrasje dhe vrasje në tentativë. Atij i janë falur 1 vit e gjashtë muaj burg nga Presidenti Thaçi.

Dalibor Trifunoviq është dënuar me 1 vit për rrezikim të trafikut publik. Presidenti atij ia ka falur vetëm 3 muaj burg.

Sahadete Elezi është e vetmja grua që është falur nga Presidenti Thaçi. Ajo ka qenë e dënuar me 9 vjet burg për vrasje të rëndë në tentativë. Asaj, Presidenti Thaçi ia ka falur 5 vjet e 3 muaj burg.

Falja e të burgosurve nisi në vitin 2009 nga ish-Presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa ish-Presidentja Atifete Jahjaga nuk fali asnjë të burgosur në vitet 2015 dhe 2016. /albeu.com/
Shtuar më 02/05/2017, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori