"Presidenti mund të jetë nga PDK", komplikohen edhe më tej raportet LDK -AAK
Ramush Haradinaj ka shkuar edhe më tutje në debatin për Presidentin, duke thënë se këtë temë e ka diskutuar në “tavolina”, ku i ka përmendur zyrtarët e PDK’së dhe Presidentin Thaçi.

Por, LDK është duke insistuar se me AAK’në s’ka folur kurrë për Presidentin dhe se pasardhësi i Thaçit në këtë pozitë mund të jetë dikush nga PDK. Për këtë deklaratë të Driton Selmanajt që e bëri mbrëmë në Pressing, për Gazetën Express ka folur deputeti i AAK’së Pal Lekaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës e AAK’ja edhe mbrëmë përmes deklarimeve nëpër studio televizive e kanë vazhduar debatin për presidentin, që po bëhet pak ditë para takimit të së hënës, që do t’i bashkojë partitë e koalicionit për herë të parë pas shpalljes së kandidaturës nga Ramush Haradinaj.

Në këtë debat, dy partitë mbrëmë e kanë përfshirë edhe PDK’në e Kadri Veselit që po qëndron e heshtur lidhur me deklarimet se kush duhet ta zëvendësojë në karrigen e të parit Hashim Thaçin.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj mbrëmë ka deklaruar se ka biseduar tashmë me zyrtarë të PDK’së për këtë temë, pa përmendur emra, e thotë se për këtë cështje ka folur edhe me vetë Thaçin.

Këto deklarime të Haradinajt nuk i konfirmojnë në PDK të pyetur nga Gazeta Express, duke mos folur kështu as për qëndrimin e tyre për këtë çështje.

Derisa Haradinaj flet se e ka hapur me PDK’në çështjen e Presidentit në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se ky post mund t’i takojë pikërisht kësaj partie.

Zëvendësi i kryeministrit Avdullah Hoti në Qeveri, Driton Selmanaj tha mbrëmë në emisionin Pressing se presidenti mund t’i takojë përsëri PDK’së.

“Nuk përjashtohet mundësia që presidenti të vjen nga PDK’ja. Në politikë janë të gjitha opsionet e mundshme, megjithatë LDK’ja nuk po e trajton këtë çështje aktualisht”, është shprehur Selmanaj duke thënë se nëse nuk merren vesh për presidentin, atëherë, vendi shkon në zgjedhje.

Të gjitha këto deklarime të partnerëve të koalicionit po bëhen në kohën kur është bërë propozim dorëzimi i aktakuzës për krime lufte nga Specialja për presidentin Thaci.

Që nga atëherë, është duke u folur mundësia për bashkim të PDK’së në Qeveri, që mund të pasonte daljen e AAK’së. Përplasje në mes të AAK’së e LDK’së ka pasur edhe për çështjen e dialogut e atë se si po menaxhohet pandemia.

Paralelisht me këtë AAK’ja e Haradinajt i ka ftohur punët edhe me Nismën e Fatmir Limajt të cilës ia mori Haxhi Shalën pak javë më parë.

Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti e ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për inicimin e mocionit për rrëzimin e Hotit. Por, a do ta bashkojë AAK’në me LVV’në një mosdakordim brenda partnerëve të koalicionit aktual?

Në AAK thonë se e kanë ndarë mendjen. Deputeti i AAK’së Pal Lekaj thotë se Ramush Haradinaj është kandidati më serioz për postin e presidentit të Kosovës.

“Kur jemi të dialogu, ju e dini që Ramush Haradinaj, kurdo që do të bëhet e nevojshme zgjedhja e presidentit të ri, do të duhej të konsiderohej kandidatura më serioze, më me përvojë, më të qëndrushme dhe me konsensuale në spektrin politik të vendit. Pra kurdo që kjo çështje të bëhet temë parktike, pra të vjen ai moment kur duhet të kemi president të ri, Kosova e ka zgjedhjen shumë të lehtë nga e cila zgjedhje askush nuk do të dëmtohet por të gjithë do të duhej të ndihen me të sigurt për të ardhmen politike, juridike, e të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës tonë, me Ramushin president”, thotë Lekaj për Gazetën Express.

I pyetur për deklarimin e Selmanajt se PDK’ja mund ta marrë postin e presidentit përsëri, Lekaj thotë se nuk kanë problem me qëndrimet e askujt.

“Ne nuk kemi e nuk do të kemi problem me qëndrimet e askujt që shkojnë në favor të mos lënies vakum në asnjërin nga institucionet kryesore shtetërore. Aleanca e në rastin konkret, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, nuk janë nga dje në zhvillime politike të Kosovës e për Kosovën, por jemi që dy dekada dhe në secilën etapë me aq sa kemi qenë në dijeni e në mundësi, nuk kemi lejuar që vendi ynë të dëmtohet. Prandaj kandidaturën, e pse jo edhe zgjedhjen e z. Haradinaj President të vendit, nuk duhet ta shoh askush me pesimizëm e si problem, të kundërtën e kësaj do të duhej me pa si agjendë jo të mirë, që Kosovës po tentohet t’i “eliminohet” nga tavolina e diskutimeve serioze, një gardian i palëkundur i mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e kombëtare”, shton ai.

AAK’ja, sipas deputetit Lekaj, me kandidaturën e Haradinajt, nuk e paragjykon se kur do të zgjedhet presidenti, e nëse kjo do të bëhet në muajin tetor, kur përfundon edhe afati për konfirmim të aktakuzës nga Specialja.

“Takime të krejt spektrit politik parlamentar dhe jo vetëm, për çdo temë të rëndësisë së veçantë që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, duhet të ketë gjithmonë. Aleanca do të insistoj me argumente për të qenë edhe më prezent se kaq sa është në tavolina ku mbrohet e zhvillohet e ardhmja e Kosovës së pavarur. Pozita e presidentit është njëra nga këto mundësi, por kjo nuk nënkupton që po paragjykojmë për kohën kur do të bëhet zgjedhja e presidentit të ri, tani në tetor apo në fillim të 2021. Kurdo që kjo të bëhet e nevojshme, ne jemi për një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit që do të bëjë edhe më shumë unifikimin e popullit e të spektrit politik të Kosovës”, shton ai.

Të hënën pritet të mbahet takimi në mes të liderëve të LDK’së, AAK’së e Nismës Socialdemokrate. Në këtë takim, sipas Mustafës nuk do të flitet për çështjen e presidentit.
Shtuar më 21/08/2020, ora 18:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori