Presidenti i Kosovës: Po nis kapitulli i fundit i bisedimeve me Serbinë
Kosova dhe Serbia po hapin kapitullin e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

"Kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore nënkupton një normalizim në rrafshin politik, atij të sigurisë, në rrafshin ekonomik, të integrimeve rajonale e euro-atlantike, gjithmonë mbi vlerat dhe bazat e perspektivës evropiane të dy shteteve, ndërsa për sa u përket çështjeve të brendshme, secili shtet është autonom", ka vijuar presidenti Thaçi, transmeton "Rel".

Sipas tij, mund të diskutohen vetëm çështjet e normalizimit të raporteve ndërshtetërore dhe nuk do të diskutohen çështjet e brendshme të Kosovës.

Thaçi ka thënë se nuk mund ta parashikojë se sa do të zgjasë ky kapitull i bisedimeve, por ka preferuar që të përmbyllet sa më shpejt.

"Serbia, kohët e fundit ka provokuar rëndë Kosovën qoftë me fletë-arrestet në fuqi, siç ishte rasti me Ramush Haradinajn, pastaj me murin në Mitrovicë dhe nisjen e trenit për në veri, çka e bën të domosdoshme që të dyja vendet të diskutojnë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore", ka thënë presidenti.

"Definitivisht që zgjidhja më e mirë e mundshme është që të ndodhte njohja nga Serbia për Kosovën. Kjo do të nënkuptonte përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm të dialogut, fillimisht për çështje teknike dhe tani të një faze të avancuar të dialogut, apo të kapitullit të fundit të normalizimit që do të sillte përfundimisht edhe njohjen e Kosovës nga Serbia", ka deklaruar Thaçi.

Takimi i radhës, në nivel të presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është thirrur për 24 janar, në Bruksel. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2017, ora 14:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori