Portali serb: Kamerat kanë regjistruar atentatorin e Ivanoviqit
Portali serb “Kurir” sot shkruan se gjatë shikimit të regjistrimeve nëpër kamera është parë sulmuesi i liderit të serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviç i vrarë më 16 janar para selisë së partisë së vet në Mitrovicën e veriut.

Sipas këtij portali, me rastin e shikimit të regjistrimeve të kamerave, vërehet sulmuesi i Ivanoviçit, atij nuk i vërehet fytyra, por ky element megjithatë mund të ndihmojë, konstaton ky portal serb.

Xhirimet nga rreth 20 kamera në pjesën veriore të Mitrovicës veriore, sikur dhe ato nga lokalet e partisë së Ivanoviqit, janë shikuar detajisht dhe siç thotë kurir, në njërën nga to shihet vrasësi i Oliver Ivanoviçit!

Burimi i kësaj gazete online, të cilin ajo nuk e emëron, ka thënë se kjo mund të ndihmojë në shumëçka për zbulimin e vrasësve të Ivanoviçit.

“Është simptomatike se asnjëra nga kamerat në qytet nuk ka qenë e kthyer nga Mitrovica jugore. Megjithatë, gjatë shikimit të xhirimeve, në njërin nga to, është kapur sulmuesi i Ivanoviçi. Nuk shihet fytyra e tij, është i xhiruar nga shpina, por ky material megjithatë mund të ndihmojë”, ka thënë bashkëbiseduesi pa emër i portalit i cili ka shtuar:

“Të gjitha kamerat kanë xhiruar ekskluzivisht vetëm veriun e komunës, ndërsa organet përkatëse ende po i presin xhirimet nga pjesa jugore e Mitrovicës e cila kontrollohet nga shqiptarët.

Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në Mitrovicën veriore ka thënë se grupi punues po i zhvillon hetimet porse nuk ka detaje të reja.

“Policia aktualisht po i heton xhirimet e kamerave të vendosura nëpër gjithë qytetin. Policia punon sipas autorizimeve të prokurorit e hetimet i kryen Policia e Kosovës,e cila punon në dy turne ndërsa punën e saj e mbikëqyrin dy prokurorë: Një serb dhe një shqiptar. Për rastin po punojnë dhjetë policë e monitorimin e bën EULEX përmes të cilit këmbehen informatat”, citohet të ketë thënë Hoti. /albeu.com/
Shtuar më 31/01/2018, ora 22:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori