Politikani serb: Rrahja e djalit tim ishte e paralajëmruar
“Grupi i personave që e ka pritur djalin tim pas shkollës, një ditë më herët ka publikuar në Facebook dhe Instragram, postime ku thuhej ‘nesër prehet shiptari’ dhe ‘kush do ta mbijetojë të hënën do të tregojë për t뒔, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nenad Rashiç, lideri i Partisë Demokratike Progresive. Ai ka shtuar se këto postime do t’i bëjë publike në një konferencë për media.

Djali i Rashiçit, Nikolla është sulmuar të hënën, më 22 shkurt, në Llapnasellë të Graçanicës, komunë e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për REL, ka konfirmuar se në këtë “rrahje masive kanë marrë pjesë nxënës të shkollës së mesme, por edhe disa persona të tjerë” dhe se një person ka marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është dërguar në spital.

Për këtë rast, Policia ka ndaluar tetë persona, në mesin e të cilëve edhe një person të mitur. Ndaj tetë personave është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak se ata dyshohen se kanë marrë pjesë në rrahje.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë për REL se Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesë për masën e paraburgimit ndaj të ndaluarve.

Si ndodhi sulmi?

Djali i Nenad Rashiqit, Nikolla, 18 vjeç, është nxënës i vitit të fundit të gjimnazit në Llapnasellë dhe sulmi ndodhi derisa ai ishte duke dalë nga shkolla.

Drejtori i gjimnazit, Dejan Deniç tha për Radion Evropa e Lirë se Nikolla nuk ka qenë “tinejxher problematik”.

“Sipas informatave që i kemi, rrahja ka ndodhur për shkak të disa arsyeve private, që nuk kanë të bëjnë me shkollën”, tha ai.

Nenad Rashiç thotë për REL se grupi i të rinjve e kanë pritur djalin e tij para shkollës dhe së pari kanë filluar që ta fyejnë dhe pastaj e kanë sulmuar fizikisht, duke e rrahur me “boks të hekurit” në kokë.

“I janë afruar djalit tim dhe i kanë thënë ‘çka bën tash, ti shiptar'”, tregoi Rashiç.

“Shiptari” është term pezorativ që përdoret në gjuhën serbe ndaj shqiptarëve.

Nikollës i është thyer nofulla dhe tri dhëmbë.

“Djali im ishte caku. Sipas mendimit tim, kjo ishte tentim-vrasje”, thotë Rashiç.

Ai mendon se e gjithë kjo është “pasojë e kundërshtimit të tij shumëvjeçar ndaj presioneve politike”.

Ndryshe, Rashicc është kundërshtar politik dhe kritik i zëshëm i Listës Serbe, subjekt politik në Kosovë, që prej formimit më 2013, është i vetmi përfaqësues i komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ky subjekt gëzon mbështetje të plotë të Beogradit zyrtar, por edhe të shumicës së trupit elektoral të komunitetit serb në Kosovë.

Rashicci disa herë është kritikuar nga Lista Serbe dhe zyrtarët në Serbi për qëndrimet e tij. Ditëve të fundit ai ka folur hapur se si Lista Serbe po u bën presion votuesve serbë për të votuar për Adrijana Hoxhiqin dhe subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, duke ua privuar rivalëve politikë boshnjakë përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës. Dënim i sulmit

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiçit është akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejt t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas një komunikate për media të presidencës.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se kryesit e këtij sulmi, duhet “të përballen me forcën e ligjit”.

“Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme”, tha Hoti.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiçit mund të jetë i organizuar dhe ka të bëjë me veprimtarinë e babait të tij.

“Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, është thënë në reagimin e Kurtit./REL

Shtuar më 23/02/2021, ora 14:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori