Policia reagon zyrtarisht, u gjetën bombat në KGJK?
Përmes një komunikate dërguar mediave, policia njofton se pas pranimit të tri telefonatave kërcënuese nga një person i gjinisë mashkullore, i cili tha së në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorisë Speciale janë vendosur bomba, nuk është gjetur asnjë e tillë.

Policia tha se po punohet intensivisht për ta identifikuar personin që kërcënoi me bombë.

Njoftimi i plotë:

Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3) thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë.
Shtuar më 24/05/2019, ora 17:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori