Familjarët panë gjithçka! Shoferi i droguar me “Audi” u vrau vajzën në oborr, sapo ishte martuar e do shkonte në Angli

Foto ilustruese

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku humbi jetën një 25-vjeçare.

Marjana Sahitaj kishte vetëm pak ditë që ishte martuar dhe vetëm pak ditë e ndanin nga ëndrra e saj për të ikur bashkë më bashkëshortin në Britaninë e Madhe, por një shofer i droguar me shpejtësi tepër të madhe i hyri në oborr të shtëpisë duke e goditur për vdekje.

E gjitha ngjarja ndodhi në fragmente sekondash duke mos i lënë mundësi 25-vjeçares që të shmangej.

Shoferi 40-vjeçar, Sajmir Thaçi, humbi kontrollin e mjetit tip “Audi”, dhe u përplas me portën e banesës dhe pasi ka hyrë në oborr ka goditur të renë.

Edhe pse familjarët e morën me urgjencë dhe e dërguan në spital, ajo nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda që kishte pësuar.

40-vjeçari Sajmir Thaçi rezultoi se ishte i droguar teksa drejtonte makinën me të cilën i mori jetën të resë.

Babai i të ndjerës tregon se e pa ngjarjen dhe se të bijën e gjeti poshtë portës. Bashkë me djemtë ai e dërgoi në spital, por pa mundur ta mbajnë në jetë.