Protestuesit i drejtohen Postës, ndezin kontejnerë në rrugë (VIDEO)
Update - Gjendje e jashtëzakonshme është krijuar ditën e sotme në Prishtinë, si pasojë e përplasjes së policisë së Kosovës me protestuesit. Polica ka përdorur gazlotsjellës, ujë dhe plumba gome ndaj protestuesve, ndërsa raportohet për shumë të lënduar. Të plagosur janë si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga policia. Ndërsa më herët u raportua se të lënduar mbeten edhe Albin Kurti e Visar Ymeri.

Policia ka vënë në dispozicion mjete të rënda, ndërsa ka filluar arrestuar edhe shumë persona. Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh edhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ishte në mesin e personave të arrestuar ditën e sotme. Por, pastaj ai është liruar.

17:10 Protestuesit tanimë janë tek Posta e Madhe në lagjen Ulpiana ku nga fotot që kemi siguruar shihet se nëpër rrugë kanë ndezur edhe kontejnerët duke i hedhur ata nëpër rrugë.

16:25 Protestuesit dhe policia e Kosovës tashmë janë zhvendosur në një terren tjetër, përkatësisht tek Biblioteka Kombëtare.

Atje shihen forca të mëdha të rendit të cilët vazhdimisht po tentojnë të shpërndajnë turmat e njerëzve duke përdorur gaz lotsjellës.

16:05 Kryetari i Prishtinës, pas lirimit nga Stacioni Policor, arrestimin e tij nga ana e Policisë së Kosovës, e ka quajtur arrestim politik.

Sipas Ahmetit, nuk kishte asnjë arsye nga ana e policisë që ai të arrestohet.

“Nuk jam i lënduar, mirëpo një komandant më ka shtrënguar dorën dhe më arrestoi. Kur i pyeta për arsyen e arrestimit, ai më tha se arsyet do të mi tregojnë në stacion”, ka thënë Ahmeti për Koha.net.

Ky i fundit ka theksuar se policia nuk i lejoi as fjalimet. “Nuk ka qenë e nevojshme e gjithë kjo. Ata nuk lejuan të mbahen as fjalimet e përgatitura, po e theksoj se krejt kjo është politike”, është shprehur Ahmeti.

15:15 Policia e Kosovës po gjuan me plumba gome ndaj protestuesve. Si pasojë është goditur në qafë aktivisti Valon Hoti.

Po kështu policia e Kosovës ka bllokuar të gjitha hyrje-daljet e sheshit.

15:10 Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh edhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ishte në mesin e personave të arrestuar ditën e sotme. Por, pastaj, siç duket, ai është liruar.

15:08 Gjendje e jashtëzakonshme është aktualisht në protestë, ndërsa raportohet për shumë të lënduar. Policia ka vënë në dispozicion mjete të rënda, ndërsa ka filluar edhe të arrestojnë shumë persona.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Shpend Ahmeti.

Ndër të arrestuarit, të konfirmuar deri më tani, janë Ali Krasniqi, Florim Musliu dhe Avni Ramadani. Edhe përkundër kësaj dhune, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh.

15:00 Turmë e re protestuesish është parë duke u nisur në drejtim të sheshit “Nënë Terezë”, ndërkaq janë shtuar edhe mjetet e tjera të policisë së Kosovës. Policia sulmohet me koktej molotovi.

Gjendja vlerësohet të jetë kaotike, ndërsa raportohet për mbi 20 të lënduar, në mesin e të cilëve ka protestues dhe polici. Në mesin e qytetarëve raportohet të jetë edhe Rexhep Selimi.




14:50 Protesta e opozitës vazhdon. Këtë herë, protestuesit janë spostuar përreth Hotel Grandit ku vazhdojnë të përleshen me policinë.

14:40 - Protestuesit aktualisht janë duke tentuar të hyjnë në automjetet e Policisë, ndërkohë që po vazhdon përleshjet e Policisë me protestues.

14:30 Gjatë përleshjeve mes Policisë dhe protestuesve, është lënduar edhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti. Shkak për këtë është bërë gazi lotsjellës që policia ka hedhur mbi protestuesit është lënduar.

I lënduar ka mbetur edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të cilin e ka marrë menjëherë autoambulanca për trajtim dhe është dërguar në Emergjencë.

14:25 Lirohet nga rrethimi lideri i Vetevendosjes Albin Kurti.

14:20 - Vijon situata e tensionuar në Prishtinë. Policia ka nisur shpërndarjen e protestuesve duke përdorur cisterna uji.

Ndërkohë sipas Vetëvendosjes, policia po ndërhyn dhunshëm duke lënduar shumë protestues.


14:00 - Është kthyer në përleshje mes policisë dhe qindra qytetarëve të mbledhur para qeverisë së Kosovës protesta kundër ministrit Jabllanoviç.

Vetëvendosje vuri ultimatum prej 15 minutash për heqjen e barrikadave të vendosura para godinës së qeverisë në sheshin “Skendërbej”.

Pas përfundimit të këtij afati protestuesit nisën përleshjen me policinë ku u desh më tej përdorimi i gazit lotsjellës.

Tre parti opozitare, Vetëvendosja, AAK e Ramush Haradinaj dhe Nisma e Fatmir Limajt organizuan këtë protest në kundërpërgjigje të mos reagimit të Mustafës të cilit iu kërkua shkarkimi i ministrit serb Jabllanoviç, i cili ofendoi nënat e të vrarëve në luftën e Kosovës, duke i cilësuar egërsira. Po ashtu kërkohet edhe një ligj i vecantë për statusin e minierës së Trepçës.

Gjatë protestës së të shtunës, kryeministrit Mustafa iu dha ultimatum deri në orën 16:00 të 26 Janarit për shkarkimin e ministrit serb, ndërsa me skadimin e këtij afati u organizua kjo protestë e radhës. Sipas vetëvendosjes protestat nuk do të ndalen.

Bashkëorganizatorët kanë deklaruar se protesta nuk është partiake, nuk është as opozitare, por do të jetë gjithëpopullore. /albeu.com/
Policia hedh gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit

Shtuar më 27/01/2015, ora 17:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori