Kush janë vajzat e Putinit dhe çfarë dimë për familjen e tij

Nga BBC

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka qenë gjithmonë i rezervuar kur bëhet fjalë për pyetjet rreth familjes së tij.

Në vitin 2015, gjatë një prej konferencave të tij maratonë për shtyp, ai shmangu pyetjet në lidhje me identitetin e vajzës së tij.

“Vajzat e mia jetojnë në Rusi dhe studiojnë vetëm në Rusi, jam krenar për to. Ato flasin rrjedhshëm tre gjuhë të huaja. Unë kurrë nuk e diskutoj familjen time me askënd. Çdo person ka të drejtë për fatin e tij, ai jeton jetën e tij dhe e bën atë me dinjitet”, tha aso kohe Putin.

Ai mund të mos dëshirojë t’i përmendë ato, por të tjerët e kanë bërë. Raundi i fundit i sanksioneve të SHBA-së ka shënjestruar Maria Vorontsova, 36 vjeç, dhe Katerina Tikhonova, 35 vjeç.

“Ne besojmë se shumë nga pasuritë e Putinit janë të fshehura me anëtarët e familjes dhe kjo është arsyeja pse ne po i synojmë ata”,  tha një zyrtar amerikan.

Ndërsa shumë pak është konfirmuar zyrtarisht për jetën familjare të Presidentit Putin, dokumentet, raportet në media dhe deklaratat e herëpashershme publike janë të mjaftueshme për të siguruar një portret e dyshes.

Të dyja janë vajzat e presidentit Putin dhe ish-bashkëshortes së tij Lyudmila. Putin dhe Lyudmila u martuan në vitin 1983 kur ajo ishte stjuardesë dhe ai oficer i KGB-së. Martesa e tyre zgjati 30 vjet, duke përfshirë ngritjen e shpejtë të Putinit në krye të sistemit politik të Rusisë.

Në vitin 2013, ata u ndanë. Putin tha se “ishte një vendim i përbashkët: ne nuk e shohim njëri-tjetrin, secili prej nesh ka jetën e tij”. Ndërsa ajo tha se Putin ishte “i mbytur plotësisht në punë”.

Vajza e tyre e madhe, Maria Vorontsova, lindi në vitin 1985. Ajo studioi biologji në Universitetin e Shën Petersburgut dhe mjekësi në Universitetin Shtetëror të Moskës.

Maria (majtas ) në zgjedhjet e Rusisë 2007 me prindërit e saj
Maria (majtas ) në zgjedhjet e Rusisë 2007 me prindërit e saj

Vorontsova tani është një akademike, e specializuar në sistemin endokrin. Ajo shkroi një libër mbi ngecjen e rritjes te fëmijët dhe renditet si studiuese në Qendrën Kërkimore të Endokrinologjisë në Moskë.

Ajo është gjithashtu biznesmene. “BBC Rusia” e identifikoi atë si bashkëpronare të një kompanie që planifikonte të ndërtonte një qendër masive mjekësore.

Vorontsova është e martuar me biznesmenin holandez, Jorrit Joost Faassen, i cili dikur ka punuar në gjigantin shtetëror rus të energjisë Gazprom, megjithëse thuhet se ata janë ndarë.

Njerëzit që kanë folur me të që nga pushtimi i Ukrainës thonë se ajo mbështet babanë e saj dhe ka hedhur dyshime mbi raportimin ndërkombëtar të konfliktit.

Nga ana tjetër, motra e saj, Katerina Tikhonova ka qenë shumë më shumë në sy të publikut, për shkak të talentit të saj si kërcimtare rock n’ roll. Ajo dhe partneri i saj dolën të pestët në një event ndërkombëtare në vitin 2013.

Katerina Tikhonova
Katerina Tikhonova

Po atë vit, ajo u martua me Kirill Shamalov, djalin e një miku të vjetër të Presidentit Putin. Dasma e tyre u zhvillua në një resort ekskluziv skish, afër Shën Petersburg. Punëtorët atje thanë se çifti mbërriti me një slitë të tërhequr nga tre kuaj të bardhë.

Shamalov u sanksionua nga SHBA në vitin 2018 për rolin e tij në sektorin energjetik të Rusisë. Thesari i SHBA tha se “pasuria e tij u përmirësua në mënyrë drastike pas martesës”. Çifti tashmë janë ndarë.

Pas pushtimit të Ukrainës, dy aktivistë rusë u arrestuan për pushtimin e një vile luksoze në Biarritz që thuhet se ishte në pronësi të Shamalov.

Tikhonova tani është në akademi dhe biznes. Ajo bëri një dalje të shkurtër në mediat shtetërore ruse në vitin 2018 për të folur për neuroteknologjinë dhe gjithashtu në një forum biznesi në vitin 2021. Në asnjë rast nuk u përmend marrëdhënia e saj me presidentin.

Asnjëra nga vajzat nuk thuhet të kalojë shumë kohë me Presidentin Putin.

Putin ka edhe nipër e mbesa. Ai i përmendi ato në një telefonatë në vitin 2017, por nuk tha se sa kishte ose cila nga vajzat e tij i kishte ato.

“Sa i përket nipërve të mi, njëri është tashmë në çerdhe. Ju lutem kuptoni, nuk dua që ata të rriten si disa princa mbretërorë. Unë dua që ata të rriten si njerëz normalë,” tha ai./Përshtati nga BBC, albeu.com