Policia e Kosovës: Trembëdhjetë policë të lënduar
Gjatë intervenimit në protestën e sotme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se vazhdimisht ka hasur në rezistencë aktive nga ana e protestuesve.

Sipas këtij njoftimi, thuhet gjithashtu se protestuesit e kanë sulmuar policinë me mjete të ndryshme të forta (gurë dhe gjësende tjera të metalta) ku si pasojë e kësaj, deri më tani, trembëdhjetë policë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët kanë kërkuar ndihmën mjekësore,raporton zeri.

“Në bazë të informacioneve të pranuara nga qendra mjekësore, deri në këto momente, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, policia gjithashtu njofton se gjatë intervenimit, deri në këto momente, janë ndaluar 42 persona të cilët janë shoqëruar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Ndërsa, siç njofton reporterja e “Zërit” nga Podujeva, thuhet se deri në këto momente, 20 aktivistë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, sikurse edhe 5 policë të Policisë së Kosovës, përveç intervenimeve që ka kryer ndihma e shpejtë në vend të ngjarjes.
Shtuar më 14/01/2012, ora 16:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori