Policia e Kosovës falenderon protestuesit
Si vazhdimësi e njoftimit lidhur me protestën dhe mbarëvajtjen e saj, Policia e Kosovës njofton se rreth orës 14:00, protesta ka filluar në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, për të vazhduar më pastaj në drejtim te objekti i Gjykatës Kushtetuese, objekti i KEDS-it, objekti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Para objektit të Gjykatës Kushtetuese, Policia thotë se është mbajtur një fjalim nga ana e organizatorëve, dhe më pastaj nga disa protestues është realizuar një aksion simbolik ku është hedhur një lloj uji/ngjyre e zezë në drejtim të objektit të Gjykatës Kushtetuese.

Protestuesit pastaj, siç bën me dije Policia, kanë vazhduar në drejtim të objektit të KEDS-it, ku edhe aty është mbajtur një fjalim nga ana e organizatorëve, e po ashtu është realizuar një aksion simbolik, duke hedhur në tokë e duke dëmtuar/thyer orë matëse të rrymës, të sjella nga vet protestuesit.

Pas objektit të KEDS-it, protestuesit, thotë Policia, kanë vazhduar në drejtim të objektit të Radiotelevizionit të Kosovës, ku është mbajtur një fjalim dhe është vendosur një “altoparlant” (megafon) i modifikuar.

Më pastaj, sipas njoftimit të Policisë, thuhet se protestuesit kanë vazhduar në drejtim të sheshit “Skënderbeu”, para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku janë mbajtur disa fjalime nga organizatorët dhe në shenjë simbolike është vendosur një pankartë.

Policia e Kosovës gjatë gjithë kohës, ashtu siç ka qenë e paraparë me planin policor, është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe protestuesit, si dhe riorientimin e trafikut dhe krijimin e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës, duke besuar në kulturën e lartë dhe maturinë e treguar të qytetarëve, njëherësh falënderon të gjithë qytetarët për sjellje të mirë dhe kalimit të protestës pa incidente”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej, sa i përket shifrave të pjesëmarrësve në protestë, Policia thotë se këto shifra nuk e kanë kaluar numrin e 2500 sosh.

“Protesta ka përfunduar rreth orës 16:20 min, pa ndonjë incident i cili ndërlidhet me protestën, ku pjesëmarrës afërsisht kanë qenë 2.000-2.500”, thekson Policia. /albeu.com/

Shtuar më 18/04/2015, ora 17:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori