E FUNDIT/ Rikthehen protestat studentore, studentët të pakënaqur me premtimet
Policia dhe Vetëvendosje përgatiten për nesër
Me qëllim të sqarimit dhe informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër nga subjekti politik “Vetëvendosje”, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për çka ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.

“PK-ja, si institucion i zbatimit të ligjit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe të mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Ajo bën me dije se nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë qasje e protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosjes”. Komunikata më tutje saktëson se ajo, po qe nevoja, do t’i ndalojë të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre ta cenojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike. Në fund të komunikatës, PK-ja apelon tek të gjithë qytetarët që t’iu shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e vendosur për protestën e 14 janarit. Kjo lëvizje ka paralajmëruar se të shtunën, me fillim në ora 13, bashkë me qytetarë dhe organizata të ndryshme, do të bllokojnë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, përkatësisht mallrat që do të tentojnë të hyjnë në Kosovë. Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media, të premten, theksoi se protesta e nesërme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por vetëm hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Shtuar më 13/01/2012, ora 19:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori