Podujevë, prezantohen kandidatët e VV-së për Kuvendin Komunal
Sot Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë bëri prezantimin e të gjithë kandidatëve për Kuvendin Komunal të Podujevës.

Xhemshit Vokrri, Kandidati për Kryetar të Komunës, para të pranishmëve tha se ne si organizatë politike, e kemi dijen, guximin dhe vullnetin që me punë të palodhshme e sakrificë ta zhvillojmë komunën e Besianës.

“Qëllimet tona janë më të mëdha se sa me u marrë me të kaluarën dhe punën apo mospunën e të tjerëve, por kemi synim që qytetarëve tonë t’ua ofrojmë modelin më të mirë të mundshëm të qeverisjes. Nga ky motivim rrjedhë angazhimi i pa kursyer për plotësimin e kërkesave dhe nevojave të qytetareve. Detyrë primare e jona është nxitja prodhimtarisë si dhe sjellja e investimeve në komunë”, tha ndër të tjera Vokrri, i cili në fund të fjalës së tij prezantoi me radhë kandidatët e VV-së për Kuvendin Komunal të Podujevës.

Fehmi Blakçori, aktivist dhe kandidat për asambleist, foli për gjendjen e rëndë të arsimit në këtë komunë. “Është e pamundur të punësohesh pa e marrë vizën nga partia në pushtet. E drejta për arsim është e drejtë universale dhe e patjetërsueshme njerëzore dhe shteti ka për obligim t’ua sigurojë të gjithë qytetarëve mundësinë për t’u arsimuar dhe shkollim cilësor, e që tek ne nuk ndodh”, tha Blakçori, duke shtuar se VETËVENDOSJE! e sheh arsimin si mënyrë për zhvillimin e burimeve njerëzore, të cilat pastaj kontribuojnë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Glauk Konjufca, deputet i VETËVENDOSJE!-s e mori fjalën në fund gjatë së cilës tha se në vend që pushteti ta trajtojë si qëllim qytetarin, e në vend që të jetë në funksion të mirëqenies së popullit, partia në qeverisje ka vënë pushtetin në shërbim të vetin.

“Kjo është arsyeja kryesore pse pushteti aktual duhet të ndryshohet. Kjo është një domosdoshmëri që gjithnjë e më shumë po ndjehet nga njerëzit në Kosovës. Ata po binden dita ditës së në krye me partinë në pushtet nuk mund të ketë rezultate tjera përveçse korrupsionit, krimit të organizuar, pasurisë marramendëse të pushtetarëve, përderisa për popullin vetëm papunësi e varfëri pa fund”, theksoi Konjufca. Ai shtoi se gjendja në komunë nuk është aspak më e mirë se në qeverisjen qendrore.

“Komunat i kemi ashtu siç e kemi qeverisjen qendrore: përplot korrupsion, zhvatje të parasë publike, mungesë të përgjegjësisë, joprofesionalizëm, nepotizëm, e kështu me radhë”. /albeu.com/
Shtuar më 11/09/2013, ora 18:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori