Po s'u bë Sejdiu, aty është Isa
Isa Mustafa
Isa Mustafa më nuk është neutral. Ai do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, nëse Gjykata Kushtetuese e nxjerr Fatmir Sejdiun jashtë kësaj gare. Ky paralajmërim i Kryetarit të Prishtinës e ndryshon lojën. Por, Bujar Bukoshi me ekipin e tij i shkojnë betejës deri në fund, shkruan sot gazeta “Express”.

Gara e vërtetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të nisë në momentin kur Gjykata Kushtetuese të deklarohet nëse Fatmir Sejdiu ka rënë ndesh apo jo me Kushtetutën, duke mbajtur dy poste njëkohësisht.

Vendimi i Gjykatës, sipas gjitha gjasave, do të jepet brenda këtij muaji.

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tashmë e ka bërë të qartë se do të kandidojë për Kryetar të LDK-së, nëse Gjykata Kushtetuese i pamundëson Fatmir Sejdiut që të pretendojë për të marrë edhe një mandat në krye të partisë.

Të martën, në një drekë me përfaqësues të shoqërisë civile, kryetari i Prishtinës ka sqaruar gjithçka.

“Ishte një drekë miqësore, ku biseduam edhe për LDK-në dhe Isa Mustafa na tregoi vizionin e tij se çfarë vendimi mund të marrë. Ai na tha se nëse Gjykata Kushtetuese del me vendim kundër presidentit Sejdiu, dhe me këtë rast presidenti do të hiqte dorë nga kreu i partisë, atëherë ai (Mustafa) do të paraqesë menjëherë kandidaturën e tij për Kryetar të LDK-së”, ka thënë për Express, një prej pjesëmarrësve të kësaj dreke.

“Nëse presidenti Sejdiu nuk preket nga Gjykata, atëherë Mustafa ka thënë se nuk hyn në garë, për shkak se e ka mik Sejdiun. Ai na tha se nuk është i interesuar vetëm t’ia marrë pozitën e liderit të partisë, sepse konsideron se nuk është morale, meqenëse e ka mik të vjetër”, ka shtuar burimi i gazetës.

Zyrtarisht, komentet e Isa Mustafës nuk janë mohuar nga Kabineti i tij, të mërkurën.
Shtuar më 16/09/2010, ora 12:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori