Platforma e Nikoliq i jep Kosovës autonomi por jo pavarësi
Sipas asaj që raportojnë mediat serbe, Platforma e re për Kosovën e presidentit Tomislav Nikoliq i është dërguar kryeministrit Aleksandar Vuçiq, por ky e ka refuzuar.

Sipas këtyre burimeve, propozimi i të ashtuquajturës Platforma për "Kosovën e Metohinë" e presidentit serb Nikoliq është "zemërgjerë" dhe parasheh "dhënien e një autonomie të gjerë me shumë autorizime, por jo edhe pavarësinë për Krahinën Jugore Serbe si dhe autonomi gjyqësore", përcjell Koha.

Përsa i përket veriut të Kosovës, sipas Platformës "duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, ndërsa territori jashtë veriut, përkatësisht jashtë pjesës ku duhet të formohet Bashkësia e Komunave Serbe, do të kishte trajtimin që kanë pasur shqiptarët gjatë ekzistimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë".

Këto media citojnë ish ministrin për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, i cili rikujton se kjo Platformë "do të jetë dokumenti i 13-të deklarativ që nxirret, ndërsa pas secilit për serbët ka qenë më keq dhe ata gjithnjë më pak".

"Kjo posaçërisht ka të bëjë me situatën rreth negociatave në Vjenë, ku kemi ofruar më shumë se autonomi dhe më pak pavarësi, ndrësa ata e kanë refuzuar. Kthimi në atë periudhë dhe në Kushtetutën e vitit 1974 është qesharake dhe humbje kohe", është shprehur Bogdanoviq. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2015, ora 15:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori