Plani B i EULEX-it
Pas refuzimit nga Jakup Krasniqi, Misioni i BE’së do të provojë një rrugë tjetër që të bind Parlamentin të nxjerrë një rezolutë për të pyetur Gjykatën Kushtetuese për imunitetin e deputetëve. Burime të Express kanë thënë se EULEX tani do t’u dërgojë letër të gjitha grupeve parlamentare që të deklarohen për rezolutën.

Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë nuk ka hequr dorë nga kërkesa që Parlamenti të aprovojë një rezolutë, me të cilën do të autorizohej Qeveria për të kërkuar një opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve.

Këtë kërkesë tani EULEX’i do t’ua dërgojë grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë burime ndërkombëtare të gazetës Express. “Secili grup parlamentar do të pyetet nëse përkrah një rezolutë të tillë”, ka thënë ai me kusht anonimiteti.
EULEX do t’i kthehet këtij opsioni pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi refuzoi të merret me këtë çështje me arsyetimin se është në kundërshtim me Kushtetutën. Krasniqi ka sugjeruar që për secilin deputet për të cilin drejtësia ka nevojë ta zhveshë nga imuniteti duhet të ketë kërkesë nga prokurori publik dhe vetëm atëherë ai do ta fusë në rend dite të legjislativit.

“Kuvendi realisht do të duhej ta ketë këtu kërkesën e drejtpërdrejtë nga prokurori publik. Nëse kërkon prokurori heqjen e imunitetit, Gjykata Kushtetuese s`ka nevojë të japë interpretim”, ka thënë Krasniqi.
Zyrtarë të EULEX’it kanë konfirmuar se përgjigjen me shkrim të kryeparlamentarit e kanë marrë të premten, por nuk janë të gatshëm ta komentojnë.

“Letrën e kemi marrë. Aktualisht jemi duke studiuar letrën dhe tash për tash nuk kemi koment për të’, ka thënë për Express zëdhënësi Anne Blanksma.
Qëndrimi i Krasniqit ka nxitur reagime të ashpra nga diplomatë amerikanë si dhe europianë.

Përplasjet publike janë shfaqur pas rreth katër muajsh bisedime “konfidenciale” mes ndërkombëtarëve dhe vendorëve lidhur me fletarrestimin e EULEX’it për deputetin Fatmir Limaj, i cili akuzohet për krime lufte.
Megjithëse deputeti i PDK’së i është përgjigjur çdo ftesë të organeve të drejtësisë dhe është zotuar për bashkëpunim, pavarësisht se ndihet i pafajshëm, Misioni i BE’së insiston në arrestimin e tij.

Limaj ka bërë të ditur se nuk sheh asnjë argument ligjor për të hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti, por ai do të respektonte çdo procedurë që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kryeparlamentari ka deklaruar se Gjykatën Kushtetuese mund ta pyesë Qeveria e Kosovës, por Kryeministri Hashim Thaçi thotë se kjo çështje nuk është punë për ekzekutivin sepse do të ishte ndërhyrje në kompetencat e parlamentit.

Kërkesën e EULEX’it partitë opozitare e shohin një çështje të brendshme të PDK’së, megjithëse besohet që edhe grupet e tyre parlamentare kanë deputetë që janë nën hetime.
Mirëpo, nëse EULEX’i dhe prania ndërkombëtare në vend mbështesin opsionin për t’iu drejtuar me letër të gjitha grupeve parlamentare, kjo nuk do të jetë çështje e brendshme e një partie.

Më së ashpëri ndaj refuzimit të kryeparlmentarit Krasniqi ka reaguar ambasadori amerikan Christopher Dell. Ai ka akuzuar se i pari i Kuvendit po e sfidon tërë bashkësinë ndërkombëtare.

Ambasadori Dell nuk sheh vetëm kryeparlamentarin përgjegjës për të adresuar çështjen e imunitetit, por të gjithë anëtarët e Parlamentit.
“Nëse kjo rezolutë nuk kalon, të gjithë deputetët do të pyeten të deklarohen publikisht se cili është qëndrimi i tyre lidhur me hetimet për krime lufte. Deputetët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos e vënë Kosovën në konfrontim me tërë botën”, ka thënë Dell në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Ne duam që Parlamenti të shkruajë një rezolutë të thjeshtë, e cila do të kërkonte nga Qeveria që ta përcjellë pyetjen në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar se në çfarë mase gëzojnë imunitet nga arrestimi anëtarët e Parlamentit”, ka shtuar ai.
Shtuar më 17/07/2011, ora 12:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori