Plaçkitje në zyrat e Postës së Kosovës
Posta e Kosovës, ka shprehur shqetësimin për rastet në rritje të plaçkitjeve të Zyrave Postare, veçanërisht në qytetin e Prishtinës. ”Sot në orët e para të mëngjesit është plaçkitur për herë të tretë e njëjta Zyrë Postare, në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, njoton Posta e Kosovës.

”Plaçkitësit kanë thyer portën e hekurt të Zyrës Postare dhe të papenguar kanë qëndruar disa orë brenda të pajisur me mjete me të cilat kanë arritur të thyejnë edhe arkën e çeliktë e cila peshon 400 kilogram. Aty ka qenë i vendosur qarkullimi ditor i shitjes në vlerë disa mijëra euro.
Posta e Kosovës njofton opinionin se gjatë muajve të fundit i janë plaçkitur edhe zyra të tjera postare.
Nën kërcënimin e armëve është plaçkitur para disa javësh edhe Zyra Postare që ndodhet në oborrin e QKUK-së. Gjatë këtij akti kriminal ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Menaxheii i Postës së Kosovës ka komunikuar kohë më parë zyrtarisht me Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar një kujdes më të madh të policisë për zyrat e Postës së Kosovës.
Është e pakuptimtë që brenda në qytet të ndodhin plaçkitje të tilla dhe të na rrezikohen punëtorët.
Ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës që të ndjekin, zbulojnë dhe arrestojnë autorët e këtyre akteve kriminale të grabitjeve dhe plaçkitjeve.
Menaxhmeri i Postës së Kosovës kërkon nga Policia e Kosovës që të sigurohen patrullime të vazhdueshme, 24 orë në ditë, në afërsi të Zyrave Postare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sepse tanimë është e qartë se jemi bërë cak i vazhdueshëm i grupeve kriminale.
Posta e Kosovës është kompani publike dhe të gjitha asetet e saj janë pronë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /albeu.com/
Shtuar më 06/12/2013, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori