Pjeshkat e krimbura maqedonase që nuk i pranon Rusia do të vijnë në Kosovë
Pëlqej
Tregu britanik, ai kosovar dhe ai shqiptar janë tregjet potenciale për pjeshkat nga Maqedonia, për shkak se nga nesër edhe zyrtarisht nuk do të eksportohen në Rusi, tha sot ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski.

Sipas tij, Maqedonia ende nuk është zyrtarisht e informuar për ndalesën e përkohshme nga ana ruse, sepse komunikimi midis të dy vendeve, për shkak të strukturës së re qeveritare në Rusi, është vështirësuar. Sot është iniciuar takim me përfaqësuesit diplomatikë rusë në Maqedoni. Me kujdes po bëhen përpjekje që të ndihmohen edhe prodhuesit dhe blerësit.

"Për momentin, problem është struktura e re qeveritare në Rusi. Nuk ka bashkë-kryetar i komisionit ndërqeveritar të Maqedonisë-Rusisë nga ana tjetër për shkak se komunikimi është vështirësuar. Unë jam bashkë-kryetar nga ana e Maqedonisë. Ne i bëmë të gjithë përpjekjet në periudhën e kaluar, dhe me vizitën time në Moskë dhe me takimin tim me bashkë-kryetarin e atëhershëm, që të ndërtojmë marrëdhënie partnere", theksoi Nikollovski.

Ndërkohë, po bëhen përpjekje maksimale për plasman të pjeshkave në vende të tjera, ndërsa paralelisht po rrjedhin edhe kontrollet inspektuese të pikave blerëse që të konfirmohet se sa sasi nuk do të dërgohet në Rusi.

"Maqedonia ende nuk është zyrtarisht e informuar, për nga asnjë bazë, as nga Ministria e Punëve të Jashtme, as nga burime diplomatike, e as nga çfarëdo lloj burime tjera. Informata pasoi pas publikimit të faqeve zyrtare nga ana e Rusisë, por përmes rrugës zyrtare nuk jemi informuar. Megjithatë, ndërmorëm gjithçka që është e domosdoshme. Janë dërguar letra edhe Inspektorati shtetëror për bujqësi dhe nga Drejtoria Fitosanitare. Paralelisht janë përforcuar kontrollet monitoruese që tani ndodhen në qendrat blerëse. Ta lëmë Inspektoratin që t'i konfirmojë sasitë e prodhimtarisë së tanguar me vendimin e përkohshëm të Rusisë gjatë kufizimit që hynë në fuqi nga nesër", potencoi ministri.

Ditëve të kaluara janë realizuar kontakte me të gjithë blerësit dhe prodhuesit që të zgjidhet problemi. Nikollovski edhe personalisht është angazhuar që kompania nga Londra ta shqyrtojë mundësinë për import. Përfaqësuesit e saj nesër do të jenë në terren në Rosoman.

"Kryesisht po realizohen kontakte me firma që vijnë të investojnë në Maqedoni, ndërsa tani janë këtu nga Anglia. Po bëjmë përpjekje që prodhimtarinë ta plasojmë në Kosovë dhe Shqipëri. Po përpiqemi që me kujdes të sigurojmë plasman për këto sasi", tha Nikollovski, duke shtuar se bëhet fjalë për fund të sezonit.


Shtuar më 14/08/2018, ora 16:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori