Pjesëmarrja në votime në Veri, 22.38%
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, bëri të ditur se në orën 19:00 është përmbyllur procesi i rivotimit në tri Qendrat e Votimit në Mitrovicën e Veriut.

Deri në mbyllje të vendvotimeve kanë votuar: 5 231 votues apo 22.38%, në mesin e tyre 997 votues kanë votuar me kusht.

“Ne falënderojmë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në këtë proces. Po ashtu, falënderojmë Komisionin Komunal të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimeve të emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, për angazhimin gjatë ditës së sotme. KQZ vlerëson edhe angazhimin e institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës që kanë krijuar kushtet e nevojshme që kjo ditë të kalojë qetësisht, si dhe misionin e OSBE për lehtësimin e këtij procesi”, tha Daka.

Daka bëri të ditur gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, në pajtim me autorizimet e dhëna nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe duke u bazuar në rekomandimin e OSBE-së, ka marrë vendim që procedurat pas mbylljes së Vendvotimeve të zhvillohen në QNR.

KQZ, po ashtu ka kërkuar nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve dhe nga të gjitha Këshillat e Vendvotimeve që së bashku me materialin zgjedhor të vijnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve nga Qendrat e Votimit për të zhvilluar procedurat sipas përgjegjësive të tyre të përcaktuara me ligj.
Shtuar më 17/11/2013, ora 23:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori