Ish ushtari i UÇK është bërë pishman që ka luftuar
Ish ushtari i UÇK-së Kujtim Dërvishaj tregon për jetën e tij e cila nis çdo ditë në orën 6 e gjysmë të mëngjesit, me karrocë në dorë ai kalon kodrën deri te bunari që i është falur para pak kohësh. Ai e bën këtë rrugë të vështirë duke i mallkuar të gjithë, Komunën, pushtetin, anëtarët e familjes së tij, por edhe fatin e vet.

Mungesa e ujit në shtëpi e detyron atë të bëjë këtë rrugë të mundimshme nganjëherë edhe gjashtë herë në ditë.

Ai tregon për jetën e vështirë dhe thotë se hera e fundit kur ka ngrënë mish ka qenë pak ditë para zgjedhjeve të parafundit kur vetura të shtrenjta që bartnin zyrtarë të lartë të komunës së Skenderajt, përfshirë edhe kryetarin Sami Lushtaku, ndaluan në kodrën poshtë së cilës gjendet edhe shtëpia e Kujtimit, shkruan “Zëri”.

Aty premtohej ndërtimi i rrugës disakilometërshe, ndërsa qengji i prerë ishte blerë nga vetë fshatarët. Por rruga nuk u ndërtua kurrë.

“25 centë kushton një plumb. Sikur ta dija që po vjen kjo ditë, më mirë ia kisha dhënë vetit një plumb. Por, tash i kam katër fëmijë e ku t’i lë ata”, shprehet Kujtim Dervishaj.

I dërmuar nga jeta e rëndë, ai thotë se nuk do të luftonte kurrë për shtetin që kemi sot, pasi Kujtimi është e kundërta e asaj që secili e imagjinon të jetë një hero.

Ai është baba i katër fëmijëve, i lindur më 2 dhjetor 1981. Në moshën 17 vjeçare braktis shkollën, shkon në Shqipëri, armatoset dhe kthehet si pjesëtar i Brigadës 112 – Arben Haliti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës ai plagoset në këmbë, ndërsa gati 15 vjet më pas, ai jeton me 65 euro ndihmë sociale dhe pa pensionin e veteranit të luftës.

“Unë jam veteran i luftës dhe jam i plagosur. Unë nuk gëzoj pensionin invalidor. Unë s’kam luftuar për pare, por për popull, por më lanë të gjithë anash, më lan pa punë dhe pa shtëpi”, thotë Kujtimi.

Historia e ish ushtarit të UÇK-së bëhet edhe më e zymtë kur Kujtimi dhe bashkëshortja, në prani të njëri tjetrit e thonë haptas, ata janë pishman që janë martuar me njëri tjetrin.

“Edhe unë me e pas ditë s’e kisha marrë për burrë. Se më kanë thënë mos e merr se s’ka sen. Por thashë more po e marr, ‘nën një therrë - nën një therrë’. Tash po hekim kështu me fmijë e më tanë. Mirë s’është që po flas, por prej zorit po e them”, rrëfehet bashkëshortja e Kujtimit.

“Unë kam luftuar që fëmija e mi, familja ime me pas një perspektivë më të mirë”, thotë Kujtimi derisa tregon se të katër fëmijët shpesh nuk i shkojnë në shkollë pasi e kanë larg 5 deri 6 kilometra. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2014, ora 12:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori