Pieter Feith, së shpejti "EUSR në largim"
Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë, Pieter Feith do t’i skadojë mandati në fund të muajit shkurt dhe ai mandat, sipas burimeve të Brukselit nuk do t’i jepet përsëri. Në mungesë të ndonjë marrëveshje brenda BE-së sesi të rregullohet prania në Kosovë, Zyra e përfaqësues së lartë, Catherine Ashton pa marrë parasysh se me Pieter Feithin duket se nuk kanë një raport aq të shkëlqyer, nuk do të ketë rrugëdalje tjetër pos t’ia zgjasë për ndonjë muaj përkohësisht qëndrimin edhe në këtë post në Kosovë.

Në fakt, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se BE-ja është vonuar tashmë në zgjidhjen e lëmshit se çfarë pranie dëshiron të ketë në Kosovë. Dominon mendimi se BE-ja, për të folur me një zë më të fuqishëm dhe më unik në Kosovë, duhet të insistojë që të ndahen postet e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së (EUSR), nga ai i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë, shkruan Koha Ditore.

Në vend të kësaj, BE-ja do të krijonte një post të ri, prapë me dy ‘kapela’, por kësaj radhe përmes kryqëzimit të postit të ‘Delegacionit’ të Komisionit Evropian me atë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.

Problemi qëndron se në Kosovë, Komisioni Evropian nuk ka ‘Delegacion’ por vetëm një Zyrë ndërlidhëse. Dallimi në pamjen e parë duke vetëm semantik, por kjo gjuhë në fakt dëshmon për problemet që krijohen ende brenda BE-së për shkak të mungesës së unitetit rreth statusit të Kosovës.

Shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën nuk e pranojnë që në Kosovë prania e Komisionit Evropian formalisht të ngrihet në nivel të ‘Delegacionit’, sepse delegacione ka vetëm në shtete, ndërsa Kosova për BE-në nuk mund të trajtohet si shtet.

Në anën tjetër ka edhe shtete të cilat nuk pajtohen që të ndahet posti i ICR-së nga ai i EUSR-së, sepse thonë diplomatët nga disa shtete të tilla, të prira nga Britania e Madhe “ka mjaft përparësi nga mbajtja e sistemit të dy ‘kapelave’”.

Këto shtete eventualisht do të mund të pranonin që të ketë bashkim të postit të shefit të delegacionit të Komisionit Evropian me atë të përfaqësuesit të lartë të BE-së vetëm nëse brenda BE-së do të kishte pajtim që në Kosovë të ketë ‘Delegacion’ e jo ‘Zyrë ndërlidhëse’.
Shtuar më 18/01/2011, ora 09:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori