Përvjetori i masakrës, si serbët hodhën granatat në Mitrovicë
Sot janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë që ndodhi 20 vjet më parë në tregun kryesor, në qendër të qytetit, kur forcat serbe hodhën disa granata ndërsa tregu ishte përplot me njerëz, pasi që atë ditë ishte ditë tregu.

Si pasojë e hedhjes së granatave nga serbët, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa lëndime kishin marrë 128 shqiptarë.

Nënkryetari i komunë së Mitrovicës Faruk Mujka, përfaqësues të institucioneve dhe asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Mujka tha se 13 marsi i vitit 1999 ishte një ditë e tmerrshme pasi që në gjithë tregun shiheshin viktimat e vdekura dhe të plagosura.

“Ne emrin tim personal dhe të institucioneve komunale jemi mbledhur këtu që së bashku me ju të ndajmë dhimbjen e cila ndonëse vitet po kalojnë, ajo nuk po zbehet sepse është e thelluar në mendjen tonë, kur dihet se aty humbën jetën më të dashurit tanë dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë të pafajshëm, si dhe për vet faktin që drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja tu tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”.

Në vendin e ngjarjes, ku 20 vite më parë kishte ndodhur atentati, folën Sabedin Uka dhe Sadije Musliaj, të cilët kishin pësuar rëndë sepse u ishin dëmtuar këmbët, duart dhe pjesët e tjera të trupit.

Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.
Shtuar më 13/03/2019, ora 17:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori